Eurojust ka bërë të mundur “zbërthimin” e një prej grupeve të strukturuara kriminale që merrej prej kohësh me trafikimin e artefakteve dhe objekteve me vlerë të lartë historike.
Përmes një njoftimi zyrtar, mësohet grupi kriminal në Bullgari dyshohet se ka vjedhur mijëra objekte në të gjithë Evropën, përfshirë muzetë, dhe i ka trafikuar ato nga Bullgaria në vende të tjera evropiane.
Dy ditë më parë, autoritetet nga gjashtë vende punuan së bashku me Eurojust dhe Europol për të arrestuar 35 anëtarë të grupit kriminal, ku kryen kontrolle në mbi 125 vende dhe rikuperuan mbi 3 000 objekte me një vlerë të vlerësuar prej mbi 100 milionë eurosh. Vlera totale e mallrave të vjedhura vlerësohet të jetë rreth 870 milionë euro.
Hetimet të cilat nisën pas bastisjes së një banese ku u zbuluan prova të rëndësishme, çuan në gjetjen e lidhjeve të këtij grupi me individë në disa vende të tjera evropiane dhe lokacione ku fshiheshin objektet e vjedhura.
Me zgjerimin e hetimeve, u krijua një bashkëpunim mes autoriteteve të tetë shteteve, përfshirë edhe Shqipërinë. Operacioni u finalizua më 19 nëntor, nën drejtimin e Eurojust nga Haga. Vetëm në Bullgari u bë i mundur arrestimi i 35 personave dhe u kontrolluan mbi 120 vende.
Kontrollet u shtrinë edhe në Francë, Gjermani, Greqi dhe Shqipëri. Nga të gjitha vendet u sekuestruan mbi 3 000 objekte, përfshirë monedha të rralla ari e argjendi, antikitete, vepra arti, si edhe 50 mijë dollarë cash dhe ar për investime. U gjetën gjithashtu dokumente dhe pajisje elektronike që pritet të ndihmojnë në fazën e re të hetimit.
Midis të dyshuarve të arrestuar është një person me rëndësi të lartë, i cili dyshohet se ka udhëhequr operacionin e trafikimit. Ai dyshohet se ka financuar gërmime të paligjshme në të gjithë Bullgarinë dhe vendet e tjera fqinje.
Grupi kriminal vepronte kryesisht në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Eurojust ndërhyri intensivisht dy javë para ditës së operacionit, duke koordinuar zbatimin e pesë Urdhrave Evropianë të Hetimit dhe dy kërkesave për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike. Paralelisht, Europol ngriti një grup pune operativ dhe dërgoi ekspertë në terren për të mbështetur analizën dhe koordinimin ndërkufitar.
Shqipëria, përmes SPAK-ut, luajti një rol kyç, duke ekzekutuar kontrolle dhe duke kontribuar në shkëmbimin e informacionit që çoi në goditjen e këtij rrjeti kriminal me veprimtari të shtrirë në disa shtete europiane.
Hetimet tashmë po vijojnë për të zbardhur tërësisht aktivitetin e grupit dhe origjinën e artefakteve të trafikuara.
Marrë nga Newsbomb.al