Pas seancës që zgjati më shumë se 5 orë GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për Belinda Ballukun dhe dy vartësit e saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për të cilët është lënë në fuqi masa e arrestit shtëpiak. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i Zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Balluku doli e para dhe nuk dha asnjë deklaratë për mediat. Pak minuta më vonë u larguan edhe Gjyli dhe Elezi, të cilët kishin qenë në seancë për t’u njohur me akuzat dhe masat e sigurisë.
VENDIMI:
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin 120, datë 22.11.2025, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e me adresë:
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Balluku u parqit rreth orës 09:00 në Gjykatën e Posaçme për marrjen në pyetje, ku dhe iu komunikua masa e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Pasi qëndroi për rreth 45 minuta, Balluku doli nga ambientet e GJKKO-së, pasi Gjykata shtyu seancën me 2 orë për tu njohur me aktet. Në GJKKO u paraqitën për verifikim të masës së sigurisë edhe kreu i ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH Erald Elezi.
Ka qenë Prokurori i SPAK ai që ka kërkuar mbajtjen në fuqi të masës së pezullimit ndaj zv.kryeministres me argumentet se ajo rrezikon të largohet nga vendi, mund të intimidojë dëshmitarët për shkak se i ka vartës në institucionin që drejton dhe mund të prishë provat. Nga ana e saj zv.kryeministrja Balluku është shprehur e hapur për hetimet, por ka kundërshtuar masën e pezullimit për shkak të detyrimeve që ajo ka si deputete e qarkut të Fierit. Balluku është shprehur se masa është e paligjshme dhe Gjykata e Posaçme nuk ka kompetencat për ta pezulluar nga detyra.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.
Ndërkohë, më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Marrë nga Zëri.al