Situata e përmbytjeve në vend vijon të jetë problematike pavarësisht se reshjet e shiut kanë ndaluar dhe lumenjtë janë rikthyer në shtratin e tyre. Edhe pse niveli i ujit është ulur, qindra hektarë tokë bujqësore, rrugë e banesa janë në ujë duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës.
Lezhë
Në Lezhë, situata paraqitet problematike. Mbyllja e argjinaturës së lagunës së Vainit ka ulur gradualisht nivelin e ujit në Shënkollë dhe Kolsh, por dhjetëra banesa janë ende të rrethuara nga uji, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore mbeten të përmbytura. Tërheqja e ujit po ndodh me ritme të ngadalta për shkak të kanaleve kulluese të mbingarkuara.
Korçë
Në qarkun Korçë, i cili ishte ndër më të goditurit nga përmbytjet, uji vijon të mbetet në tokat bujqësore ndërsa autoritetet po monitorojnë prurjet në lumin e Kamenicës dhe degëzimet mbi Dvoran.
Fier – Vlorë
Në Vlorë dhe Fier, situata paraqitet më e qetë. Lumenjtë Seman dhe Vjosë janë rikthyer në shtratin e tyre, por tokat bujqësore vijojnë të jenë nën ujë.
Elbasan
Në Elbasan, prurjet e lumenjve janë në kuota mesatare. Nga HEC Banjë janë shkarkuar 200 m³/sek gjatë natës, pa shkaktuar përmbytje në zonën poshtë digës dhe në Sulovë.
Reshjet e borës
Pas reshjeve intensive të shiut, veriu i vendit është përfshirë nga dëbora duke prekur zonat malore të Dibrës dhe Shkodrës.
Dibër
Në Dibër, në zonat mbi 900 metra, trashësia e borës ka arritur disa centimetra, pa probleme në qarkullim. Reshjet kanë prekur fshatrat e njësive administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës, Sllovë dhe Melan, ku kompanitë kontraktuese po bëjnë pastrimin e rrugës.
Shkodër
Edhe në Shkodër, në zonat malore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm e Bogë–Theth ka pasur reshje dëbore ku trashësia e saj ka arritur disa cm. Ndërkohë po punohet me kujdes në Qafë Thore për zgjerimin e rrugës, njëkohësisht duke monitoruar faqen malore për ndonjë ortek të mundshëm.
Marrë nga Syri.net