Në vitin 2018, një aksion i policisë vuri në pranga shumë pjesëtarë të familjes Avdyli në Shijak, të akuzuar për disa vepra penale, në Shqipëri edhe Europë. Nën akuzë u vunë disa persona, ndër të tjerë edhe Astrit dhe Flamur Avdyli.
Kjo familje njihet si mbështetëse e mazhorancës aktuale, ku anëtarë të saj kanë dalë hapur në mbështetje të Partisë Socialiste dhe të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Disa episode janë denoncuar edhe nga gazeta gjermane “Bild”, teksa në Shqipëri ka pasur denoncime të shumta të lidhjes mes mazhorancës dhe kësaj familje.
Koha ka kaluar dhe, në vend që të hetoheshin të gjitha këto lidhje, rezulton se pjesëtarët e së njëjtës familje vijojnë të shtojnë pasuritë. Deri më sot janë bllokuar disa pasuri nga institucionet ligjzbatuese, por kush guxon që t’ua tjetërsojë pronat?!
Normalisht që asnjë individ, pasi kjo familje i ka marrë mbrapsht disa pasuri të sekuestruara, teksa institucionet shtetërore, si agjencia që merret me këto pasuri, e ka pasur thuajse të pamundur që t’i nxjerrë në ankand apo t’ua japë me qira personave që s’kanë lidhje me Avdylajt.
Në këto radhë do të ndalemi te një tjetër leje, ndoshta “shpërblyese” të qeverisë për familjes Avdyli. Me firmë të kryeministrit Edi Rama dhe të ish-ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, firma “Orges Albania 2016” ka arritur të marrë dy parcela plazhi në Durrës.
Sipas dokumenteve ekskluzive të VoxNews, bëhet fjalë për leje për stacion plazhi, me numër 5055, të dhëna në datë 21 korrik 2025. Informacionet që kanë mbërritur në redaksinë tonë flasin se leja është dhënë shumë kohë para kësaj date, teksa zbardhja e lejes është vonuar, për shkak të zhurmës që mund të krijonte.
Duket se, familja Avdyli ka vijuar të “punojë” për Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit, pasi arrin të marrë në mënyrën më të lehtë leje nga krerët e shtetit. Gjithçka e shkruar e zeza mbi të bardhë, ku rezulton se kompania “Orges Albania 2016” ka arritur të marrë 2 parcela plazhi, respektivisht “DR 515” dhe “DR 516”.
Sipas dokumenteve zyrtare që ka hulumtuar VoxNews, kompania “Orges Albania 2016” është themeluar në vitin 2016 nga Flamur Avdyli. Fillimisht firma merrej me bare dhe restorante, teksa më pas e kanalizoi biznesin në “stacione plazhi”.
Aksioneri i vetëm i kësaj kompanie është një emër i njohur, pasi vetëm 2 vite pas themelimit, u ndalua dhe u hetua për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Flamur Avdyli, sëbashku me Astrit Avdylin dhe anëtarë të tjerë të familjes, janë akuzuar për disa vepra penale, në Shqipëri dhe Europë.
Por, megjithëse ka pasur një duzinë me akuza, ata ia kanë hedhur paq, pasi me metoda tepër të dyshimta, ia kanë arritur që të ruajnë të paprekur pasurinë.
Nga dokumentet rezulton se kompania e Flamur Avdylit ka një aktivitet të rregullt dhe të pandërprerë nga institucionet ligjzbatuese. Aq të pandërprerë sa arrin që të marrë edhe leje për stacion plazhi nga kupola qeverisëse.
Marrë nga VoxNews.al