Hetimet e nisura në mandatin e parë të SPAK, ishin në fazë paraprake dhe ende pa prekur figurat më të mëdha të politikës.
“Vitet e fundit duket se lufta kundër korrupsionit vajti në nivelet më të larta. U ndëshkuan ish zyrtar por edhe zyrtarë në detyrë kohët e fundit. Kjo tregon se Prokuroria e Posaçme në tre vitet e para krijoj themelet e saj dhe në tre vitet e dyta arriti në konsolidimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.
“Nëse do shohim ecurinë e Prorkurorisë së posçme, duket si ecuri e një fëmije, ku në tre vitet e para ishte duke marrë veten, më pas krijoj bazën për t’u rrit, për të dhënë këto rezultate që ka dhënë sot’ u shpreh Bleona Metushi, gazetare.
Mandati i sapo nisur i Altin Dumanit, do të përkonte me finalizimin e një sërë hetimeve të mbartura, si edhe mjaft dosje të reja të bujshme.
“Gjithmonë ka gabime por unë them që këto tre vite SPAK ka një performancë ndryshe, unë do thosha në sensin pozitiv, në trendin pozitiv, pasi gjithmonë ka nevojë për përmirësime”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.
“Ajo çka e ka ndihmuar Prokuroinë e posaçme në rritjen e numrit të hetimeve dhe të goditjeve në thonjëza, janë edhe vendime që kanë pasur nga autoritetet e huaja, sidomos të përgjimeve të bëra nga Encrochati dhe që janë material që kanë ardhur gjysmë të gatshme nga prokuroritë dhe autoritet partnere ndërkombëtare”, u shpreh Gentian Tërnova, ish prokuror.
Në dyert e godinës prej xhami, shfaqeshin fytyra që dikur flisnin me arrogancën e të paprekshmëve. Bënin deklarata “patriotike” që nuk u besonin as vetë, ose përpiqeshin të fshiheshin pas frazës magjike “sekret hetimor”.
Ish-kryeministra, ish-Presidentë, Ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, kryebashkiakë, e ish kryebashkiakë dikur të pushtetshëm, të paprekshëm, hynin në këtë “linjë pritjeje” të drejtësisë.
“Po të shihni sondazhin e fundit gjithë tregojnë që dy shqetësimet e qytetarëve shqiptarë janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe janë dy fushat e kompetencave të SPAK-ut. Dhe kjo tregon që SPAK, pavarësisht punës të mirë që ka bërë ka shumë punë përpara”, u shpreh Rezart Kthupi, jurist.
“Është një mision i vështirë, por mund të kishte edhe pritshmëri më të mira, ka defekte, por gjithsesi mendoj që performanca është pozitive”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.
Kjo lloj shfaqjeje me politikanë e zyrtarë që parakalonin në dyert e SPAK, krijoi perceptimin se askush nuk ishte më mbi ligjin.
Një perceptim për të cilin dukshëm, edhe vetë prokuroria ishte angazhuar me disa forma të kamufluara që në zhargonin e marrëdhënieve publike njihen si PR. Aq sa në vendin përballë hyrjes së SPAK, u improvizua një strehë ku qëndronin gazetarët dhe operatorët e televizioneve për të filmuar çdo vizitor…
Shpesh, momenti kohor i finalizimit të aksioneve të caktuara të Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë konsideruar si lëvizje të paracaktuara për të mbajtur gjallë opinionin me lajme të bujshme nga godina e SPAK.
Sukses apo dështim?! Ish-prokurori zbulon matësin pesimist për gjashtë vitet e SPAK
Në anketat e kryera, opinioni publik e ka vlerësuar punën e SPAK nisur nga rezultatet e arritura me goditjen e atyre që konsideroheshin të paprekshëm në politikë dhe krimin e organizuar.
Shumica janë të kënaqur, pasi është goditur efekti i pandëshkueshmërisë.
E megjithatë, ka mjaft zëra që ngrenë një pyetje A po godet SPAK aty ku duhet, apo aty ku është më e thjeshtë?
Për shumë ekspertë të fushës, SPAK është bërë arena ku drejtësia matet me spektaklin. Hetimet zgjerohen me ritëm të shpejtë, por rezultatet përfundimtare janë ende të pakta. Në shumë raste, arrestimet vijnë me bujë të madhe, ndërsa gjykimet zvarriten për vite. Këtu.
Nuk duhen harruar as dështimet spektakolare, siç një aksion i Janarit të vitit 2023 që vuri nën akuzë për trafik droge dhe grup kriminal 15 persona. Në fund, gjykata zhbëri hetimin e SPAK duke shpallur të pafajshëm 11 prej tyre.
Rezultoi se këta persona, ishin dënuar për episodet e pretenduara nga drejtësia italiane. Ndërkohë, gjykata shpalli fajtor vetëm 4 persona, me dënime më të zbutura se pretenca e SPAK.
Shpesh, publiku ka parë skena prangash, por jo gjithmonë ka parë dënime të formës së prerë në një kohë të arsyeshme.
“Vlerësimi real, i punës së Prokurorisë së Posaçme do të matet me rastet e dënimeve të dhëna nga gjykatat, pra të miratuara nga gjykatat më të larta, qoftë edhe nga Strasburgu apo edhe gjykata Kushtetuese, po deri më sot, edhe pse kanë kaluar 6 vjet nga puna e SPAK, akoma nuk kemi vendime përfundimtare të gjykatës”, u shpreh Gentian Ternova, ish-prokuror.
Dhe këtu lind kritika më e madhe: SPAK ka krijuar frikë, por nuk ka krijuar ende besim.
Ka një perceptim të heshtur se institucioni po funksionon me dy shpejtësi: një shpejtësi të lartë kur bëhet fjalë për zyrtarë të nivelit të mesëm, njerëz pa mbrojtje politike reale; dhe një shpejtësi shumë më të ulët kur çështjet prekin majat e sistemit, ku interesat grumbullohen, dhe ku çdo lëvizje e gabuar mund të sjellë pasoja institucionale.
“Në rast se do kemi probleme në gjykim. Në rast se do kemi shfaqje të arbitraritetit të veprimeve procedurale, sigurisht që SPAK duhet të bëjë një hap pas”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.
Marrë nga Emisioni “Inside Story” në TCH