Mbrëmja e kësaj së marteje (21:00) sjell dy përballje spektakolare në çerekfinalet e UEFA Champions League, ku vëmendja do të jetë në Madrid dhe Lisbonë. Real Madridi pret Bayernin e Mynihut në “Santiago Bernabéu”, ndërsa Arsenali udhëton drejt Portugalisë për t’u përballur me Sporting CP.
Real Madrid – Bayern Munich
Një klasike i futbollit europian rikthehet edhe një herë. Edhe pse Real Madridi ka kaluar një sezon të paqëndrueshëm, sidomos në kampionat ku ndodhet pas Barcelona, madrilenët mbeten një forcë e frikshme në Champions.
Rruga e tyre në këtë edicion nuk ka qenë e lehtë, pasi u detyruan të kalonin në play-off për të siguruar fazën me eliminim direkt. Megjithatë, në momentet vendimtare, “Los Blancos” kanë treguar fytyrën e tyre më të fortë, siç dëshmon eliminimi bindës i Manchester City-t.
Nga ana tjetër, Bayerni vjen në këtë përballje në formë të shkëlqyer. Gjermanët dominojnë në Bundesligë dhe kanë kaluar me autoritet Atalanta në raundin e 1/16-ave. Megjithatë, historia nuk është në anën e tyre, pasi nuk kanë fituar në nëntë përballjet e fundit ndaj Realit. Një tjetër pikëpyetje mbetet gjendja fizike e Harry Kane, i cili po lufton për të qenë në formë optimale.
Sporting CP – Arsenal
Në Lisbonë pritet një duel shumë interesant mes Sportingut dhe Arsenalit. Portugezët kanë qenë një nga surprizat e këtij sezoni, duke siguruar kualifikimin direkt dhe duke eliminuar në mënyrë dramatike Bodø/Glimt me një përmbysje spektakolare.
Megjithatë, favorit mbetet Arsenali. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta ka dominuar fazën e ligës me tetë fitore në tetë ndeshje dhe mbetet lider në Premier League. Edhe pse vjen pas disa rezultateve zhgënjyese në kupat vendase, londinezët kanë treguar forcë në Europë, duke eliminuar Bayer Leverkusenin.
Tani, objektivi i Arsenalit është të marrë një rezultat pozitiv në transfertë dhe të hedhë një hap të madh drejt gjysmëfinaleve, ndërsa Sporting synon të vazhdojë përrallën e tij europiane.
Marrë nga SuperSport