Kryeministri Edi Rama, në përpjekjen e tij për të bërë fushatë zgjedhore pa zgjedhje si dhe me shpresën se do të mund të rekuperojë diçka nga imazhi i kryetarit të një force politike në të cilën korrupsioni është sistemik, deklaroi së fundmi se “e refuzonte me neveri” sugjerimin se drejton një parti dhe një qeveri të korruptuar, dhe se vendi, sipas dyshimit apo bindjes së shumë njerëzve, është nën kthetrat e korrupsionit sistemik zhvatës. Ai dha një argument aspak bindës për këtë, kur tha se “po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej ekonomia”.
Problemi është që, ndonëse korrupsioni ka një rol goxha të rëndësishëm në frenimin e zhvillimit, natyrisht që nuk është faktori i vetëm që vë në punë apo pengon zhvillimin ekonomik. Korrupsioni, ai i qeverisë, dhe ai i popullsisë më gjerësisht, nuk është i njëtrajtshëm.
Dimë gjithashtu që, kur Sali Berisha, i cili pati ardhur në pushtet më 2005 me një platformë anti-korrupsion, kur u pyet për korrupsionin, deklaroi opinionin e tij se “korrupsioni është lubrifikant”, një domosdoshmëri për të vënë në punë një makineri. (Vini re parabolën që e imagjinon shtetin si një mjet mekanik, një lloj makinerie disi e ndryshkur, të cilën, qytetari, e vë në punë duke i hedhur pak ryshfet).
Dimë gjithashtu që Rama shpalli jo shumë kohë më parë se anti-korrupsioni është “një ilaç më i keq se sa sëmundja”. (Këtu parabola shkon në nivel grotesk duke e krahasuar qeverisjen me një trup të domosdoshëm, i cili, po të goditet nga SPAK, na shkakton një tragjedi edhe ne të tjerëve, të cilët, nuk e kemi të mundur të jetojmë pa të).
Rritja ekonomike është gjendja natyrore e njerëzimit. Ekonomia rritet për shkak se njerëzimi aftësohet. Njerëzit mësojnë dhe shtojnë njohuritë e veta për mënyrën se si mund të bëjnë më shumë punë, dhe rrjedhimisht të prodhojnë më shumë mallra apo shërbime, përkundrejt një sasie më të vogël pune. Rritja ekonomike është përpjekje e përbashkët e të gjithë njerëzimit ndërsa, korrupsioni qeveritar është një përpjekje e përbashkët e një numri relativisht të vogël njerëzish, konkretisht, zyrtarët e korruptuar.
Korrupsioni është një term i përgjithshëm që jo gjithmonë përputhet me realitetin. P.sh., kur Berisha fliste për korrupsionin si lubrifikant, pothuajse njëzet vjet më parë, ai po sugjeronte, në mënyrë të pasaktë, se bëhej fjalë vetëm për atë që në gjuhën popullore quhet bakshish. Bakshishi është një shumë parash që jepet si shpërblim për t’i bërë gjërat shpejt. Pra, nëse të duhet një vulë a firmë shteti, dhe shteti është makineria e ndryshkur që lëviz ngadalë, qytetari e përshpejton pak këtë duke i hedhur një bakshish për lubrifikant. Kjo është e ndryshme nga ryshfeti, në të cilin, qytetari paguan për të marrë diçka që nuk i takon, fjala vjen, paguan policin rrugor që t’i shpëtojë ndëshkimit me gjobë. Por në kohën e Berishës kishte edhe një fenomen tjetër që nuk binte në asnjë nga këto kategori. Ishte fenomeni i njohur gjerësisht i policëve të rrugores, të cilët, në një sistem korrupsioni piramidal, paguanin për të siguruar një vend pune dhe pastaj zinin pritë për të zhvatur çdo kalimtar të mundshëm për të rekuperuar paratë e ryshfetit që kishin paguar për vendin e punës. Ky nuk hyn te bakshishi, nuk hyn as te ryshfeti por e ka një emër tjetër, quhet zhvatje. Dhe natyrisht që parabola e lubrifikantit nuk ndihmon shumë për shpjegim.
Këto lloje korrupsioni janë lojëra fëmijësh në krahasim me disa lloje të tjera korrupsioni. Një lloj p.sh., njihet në gjuhën e popullit si “trau i doganës” pavarësisht se nuk ka lidhje me doganën dhe pikat e kalimit kufitar. Populli madje ka krijuar edhe një barsoletë për këtë të treguar te hipoteka e Tiranës, me një bej që mblodhi taksat për të ndërtuar një urë, vendosi taksë për kalimin e urës dhe në një pikë të caktuar, luajti mendsh dhe urdhëroi përdhunimin e secilit prej fshatarëve që kalonte urën (përveç pagesës së taksës) për të parë se sa mban populli. Trau i doganës ndryshon nga lubrifikanti apo nga zhvatja për faktin e thjeshtë se çdo pushtetar ndërton dhe shumëzon trarët e vet. Dhe ndërsa trarët shumohen, siç janë shumuar gjatë viteve në Shqipëri, me koncesione, monopole, oligopole, tenderë, dogana, hipoteka, AZHBR, AKU, IKMT, APT, etj, fshatari që në rastin e parabolës së Berishës duhej të paguante lubrifikant, është rraskapitur në atë pikë sa merr arratinë dhe ikën në një vend më normal si, fjala vjen, Gjermania.
Çështja me qeverinë aktuale nuk është që ka korrupsion sepse korrupsion ka gjithandej. Pyetja është nëse ky korrupsion është individual apo është sistemik. Rasti AKSHI dhe çështja “Balluku” dukshëm tregojnë se korrupsioni është sistemik. Dhe normalisht që një korrupsion sistemik nuk lejon që ekonomia të lulëzojë, siç mundet të lulëzojë, në rastin e Shqipërisë. Shqipëria është vendi që mund dhe duhet të rritet me 6 apo 7% në vit, të rritet për dy apo tre dekada me këtë normë për të arritur nivelin ekonomik të një vendi si Kroacia, Rumania apo Polonia. Me 3% rritje ekonomike vendi mbetet prapa. Grafiku më poshtë tregon se pse.
Të dhënat janë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe janë në dollarë. Aktualisht, PBB për frymë e Polonisë është 32 mijë dollarë ndërkombëtarë më e lartë se sa e Shqipërisë. Në vitin 2030, parashikohet të jetë 38 mijë më shumë. E ashtuquajtura rritje ekonomike për të cilën Rama mburret dhe të cilën e jep si argument se pse vendi “nuk ka korrupsion”, duket se ekziston vetëm në deklaratat e Ramës.
Marrë nga BIRN