Inteligjenca Artificiale po ndryshon tregun e punës globalisht, duke sjellë sfida të reja edhe për Shqipërinë, sipas një raporti të fundit të Fondacionit Evropian të Trajnimit (ETF). Studimi thekson se vendet me të ardhura të mesme, si Shqipëria, janë më të ekspozuara ndaj automatizimit. Ndryshe nga valët e mëparshme teknologjike, IA nuk prek vetëm punët manuale, por edhe profesionet që kërkojnë arsim të lartë, veçanërisht në administratë dhe sektorin e shërbimeve.
ETF paralajmëron se pa investime në arsim dhe rikualifikim, përfitimet e IA mund të përqendrohen te një grup i kufizuar. Ndërkohë, edhe të diplomuarit e rinj mund të hasin vështirësi në hyrjen në treg, pasi IA po merr përsipër detyra bazë analitike. Raporti ngre gjithashtu shqetësime për rritjen e monitorimit në vendin e punës përmes menaxhimit algoritmik, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj mbrojtjes së të drejtave të punonjësve.
Sipas ETF, mënyra si Shqipëria do të përballet me këtë transformim varet nga politikat që ndërmerren sot, me fokus te arsimi digjital dhe zhvillimi i aftësive.
Marrë nga Monitor