Skyweb.al mësoi se gjatë ditëve të fundit, Bashkia Vlorë ka shpallur një tender me fond limit rreth 1.2 milionë lekë me TVSH, me objekt “Shërbime televizive për veprimtaritë e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vlorë”.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga skyweb.al, bëhet fjalë për realizimin dhe transmetimin e 24 kronikave televizive, si edhe transmetimin e 12 mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Në specifikimet teknike të tenderit përcaktohet qartë se “Kronika televizive” janë 24 copë, ndërsa “Transmetim mbledhje Këshilli Bashkiak” janë 12 mbledhje.
Skyweb.al mësoi se tenderi është fituar nga një transmetues lokal në Vlorë.
Nuk dihet se çfarë ka të nevojshme kryetarja e Bashkisë Vlorë dhe çfarë mesazhi të rëndësishëm kanë për të dhënë këshilltarët, që justifikon përdorimin e parave publike për prodhimin dhe transmetimin e kronikave televizive me pagesë.
Megjithatë, praktika të tilla janë të njohura dhe shpesh lidhen më shumë me nevojën për të orientuar apo siguruar mbulim mediatik, sesa me një nevojë reale për transparencë ndaj qytetarëve.
Në një kohë kur diskutimi publik është fokusuar te mënyra e përdorimit të fondeve dhe prioritetet e bashkisë, ky tender shton pikëpyetjet mbi arsyetimin e këtyre shpenzimeve dhe mbi mënyrën se si përdoren taksat e qytetarëve të Vlorës.
Brunilda Mersini është njohur edhe më herët për shpenzime pa kriter gjatë drejtimit të Spitalit të Vlorës, duke spikatur me mungesën e konkurrencës dhe sinjale që në praktikat e prokurimit njihen si “flamuj të kuq”.
Marrë nga Skyweb.al