Projektligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, i hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, parashikon një ndryshim thelbësor në mënyrën si funksionon tregu.
Referuar draftit që ka konsultuar skyweb.al, për herë të parë futet koncepti i “klientit aktiv”, që do të thotë se individët apo bizneset mund të prodhojnë energji, për shembull përmes paneleve diellore, dhe ta përdorin jo vetëm për nevojat e tyre, por edhe për ta shitur apo ndarë me të tjerë.
Ky model hap rrugën për forma të reja të tregtimit të energjisë, si furnizimi i drejtpërdrejtë mes konsumatorëve, ndarja e energjisë në komunitete të caktuara apo krijimi i strukturave të reja ndërmjetëse në treg.
Në praktikë, kjo do të thotë se energjia nuk do të vijë më vetëm nga prodhuesit tradicionalë, por edhe nga vetë qytetarët.
Ndryshimi lidhet drejtpërdrejt me modelin europian të tregut të energjisë, ku decentralizimi dhe përfshirja e konsumatorit janë në qendër.
Projektligji synon të krijojë një treg më fleksibël, më të hapur dhe më të integruar me tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Europian.
Megjithatë, përfitimet reale nga ky model nuk do të jenë të njëjta për të gjithë. Mundësia për të prodhuar dhe shitur energji kërkon investime fillestare, çka e vendos avantazhin tek individët apo bizneset që kanë kapacitet financiar për të hyrë në këtë treg.
Paralelisht, dalja e aktorëve të rinj dhe formave të reja të tregtimit rrit kompleksitetin dhe hap diskutime mbi mënyrën se si do të funksionojë konkurrenca në praktikë.
Projektligji shënon një hap drejt transformimit të sektorit energjetik në Shqipëri, duke e zhvendosur atë nga një model i centralizuar në një treg më të hapur, ku energjia nuk trajtohet më vetëm si shërbim publik, por edhe si një produkt ekonomik që mund të prodhohet, të shpërndahet dhe të shitet nga më shumë aktorë.
Marrë nga Skyweb.al