Ekonomia shqiptare pritet të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje në vitet në vijim, por me një trend lehtësisht në rënie, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.
Sipas përditësimit më të fundit të Bankës Botërore, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë vlerësohet të jetë rritur me rreth 3.9% në vitin 2025, ndërsa parashikohet të ngadalësohet në 3.4% në vitin 2026, përpara se të rikuperohet në 3.7% në vitin 2027.
Ky zhvillim reflekton një mjedis më të vështirë ndërkombëtar, ku rritja në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore po dobësohet dhe pritet të zbresë në rreth 2.1–2.2% në vitin 2026. Ndikimi vjen kryesisht nga tensionet gjeopolitike, sidomos në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguritë në tregtinë globale, faktorë që rëndojnë veçanërisht ekonomitë importuese të energjisë si Shqipëria.
Në nivel rajonal, Banka Botërore vëren se konsumi mbetet shtytësi kryesor i rritjes, megjithëse ritmi i tij po zbutet për shkak të ngadalësimit të rritjes së pagave dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Investimet kanë qenë relativisht të qëndrueshme, por flukset e investimeve të huaja direkte janë nën presion në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, për shkak të pasigurisë së shtuar dhe ngadalësimit të ekonomive partnere.
Sipas raportit, ndikimi ka edhe dobësimi i kërkesës së jashtme, sidomos nga Bashkimi Evropian, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Raporti thekson se eksportet në rajon janë rritur në mënyrë të moderuar, ndërsa deficitet e llogarisë korrente janë zgjeruar për shkak të rritjes së importeve dhe kërkesës së brendshme.
Në këtë kontekst, Banka Botërore paralajmëron se rreziqet mbeten të larta. Një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të rrisë më tej çmimet e energjisë dhe të ndikojë negativisht në rritje, konsum dhe investime, ndërsa pasiguria globale mund të frenojë investimet dhe tregtinë.
Për të përballuar këto sfida, raporti thekson nevojën që Shqipëria dhe vendet e rajonit të përshpejtojnë reformat strukturore, të përmirësojnë klimën e biznesit dhe konkurrencën, si dhe të investojnë në kapitalin njerëzor dhe teknologji. Sipas Bankës Botërore, këta faktorë janë vendimtarë për rritjen e produktivitetit dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës në afatgjatë.
Marrë nga Ekofin.al