Policia e Shtetit dhe IMT, Bashkia Tiranë kanë konfiskuar një godinë banimi 12 katëshe për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit.
Policia e Shtetit dhe IMT, Bashkia Tiranë raportojnë se është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij. Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi.
Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.
Marrë nga Top Channel