Egnatia duket e vendosur për të mos gabuar në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Dinamos.
Në kampin rrogozhinas kjo sfidë shihet si mundësia ideale për të marrë hak për humbjen e vitit të kaluar, kur trofeu u humb pas goditjeve të penalltive në “Elbasan Arena”.
Kujtimi i asaj finaleje vazhdon të jetë i freskët te futbollistët dhe drejtuesit e Egnatias, të cilët duan të tregojnë se kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Për skuadrën rrogozhinase, kjo ndeshje nuk vlen vetëm për një trofe, por edhe për krenarinë sportive.
Trajneri Nevil Dede ka punuar me detaje në aspektin taktik dhe psikologjik gjatë gjithë javës.
Strategjia e tij synon që Dinamos të mos i lihen hapësira pranë zonës, ndërsa Egnatia të kontrollojë ritmin e lojës që nga minuta e parë.
Mesfusha pritet të ketë rol kyç, me presion të vazhdueshëm dhe kontroll të topit.
Në të njëjtën kohë, stafi teknik ka analizuar me kujdes dobësitë e kundërshtarit për t’i shfrytëzuar në momentet vendimtare të finales.
Motivimi në skuadër është në maksimum dhe te Egnatia besojnë se ka ardhur momenti për ta fituar trofeun që një vit më parë u shpëtoi nga duart.
Nga kampi dinamovit, pasi siguruan “Final Four”, objektivi është padiskutim mbrojtja e trofeut, për të fituar për të dytin sezon radhazi Kupën e Shqipërisë.
Marrë nga Syri.net