Një valë akuzash për dhunë dhe abuzim seksual ndaj fëmijëve deri në 11 vjeç ka tronditur Francën, duke vënë në qendër të skandalit sistemin e kujdesit në çerdhe dhe shkolla publike. Hetimet në Paris përfshijnë dhjetëra institucione dhe raste të rënda që dyshohet se prekin edhe fëmijë vetëm trevjeçarë. Prindërit flasin për vite heshtjeje institucionale dhe dështim të autoriteteve për të reaguar ndaj paralajmërimeve të tyre. Ndërkohë që bashkia ka nisur suspendime dhe premton reforma, punonjësit e sektorit denoncojnë mungesën e trajnimit, pagat e ulëta dhe një sistem të brishtë që, sipas tyre, ka lejuar përshkallëzimin e krizës
Franca po përballet me një skandal të rëndë lidhur me sigurinë e fëmijëve në shkolla, pasi autoritetet në Paris kanë hapur hetime për më shumë se 100 raste të dyshuara të dhunës, abuzimit seksual dhe përdhunimit në çerdhe dhe shkolla fillore publike.
Prokurorja kryesore e qytetit, Laure Beccuau, tha se po hetohen akuzat për abuzim që kishin të bënin me të 20 distriktet e Parisit, ku kryebashkiaku Emmanuel Gregoire ka premtuar ta trajtojë skandalin si “prioritet absolut” të tij.
Avokatët e familjeve kanë deklaruar se disa nga rastet lidhen me përdhunimin e fëmijëve vetëm tre dhe katër vjeç.
Në një prej rasteve më tronditëse, një vajzë trevjeçare dyshohet se është përdhunuar nga një kujdestar në një shkollë në perëndim të Parisit. I njëjti person në një rast tjetër dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një djalë trevjeçar, pasi ishte transferuar në një shkollë tjetër pavarësisht ankesave të mëparshme për dhunë ndaj fëmijëve.
Prindërit akuzojnë shtetin për heshtje
Prindërit dhe organizatat akuzojnë institucionet shtetërore për neglizhencë dhe heshtje. Ata thonë se për vite me radhë kanë luftuar që ankesat e tyre të merren seriozisht dhe se mungesa e kontrolleve në procesin e rekrutimit të kujdestarëve ka lejuar vazhdimin e abuzimeve.
“Është një skandal masiv. Sistemi publik arsimor ka qenë krenari kombëtare në Francë, por sot nuk mund të thuhet më se garanton sigurinë e fëmijëve”, ka deklaruar avokati Florian Lastelle, i cili përfaqëson disa familje në Paris.
Kujdestarët në shkolla në Francë nuk punësohen drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit, por nga bashkitë dhe autoritetet lokale. Shumë prej tyre angazhohen pa trajnim profesional dhe me kontrata të përkohshme, shpesh të paguar me orë pune.
Akuzat e raportuara nga prindërit përfshijnë bërtitje ndaj fëmijëve, shtyrje, tërheqje flokësh, mohimin e ushqimit, detyrimin për të ngrënë deri në të vjella, si dhe sulme seksuale.
Një gjykim i rëndësishëm pritet të nisë javën e ardhshme në Paris ndaj një kujdestari të akuzuar për abuzim seksual ndaj pesë fëmijëve të moshës tre deri në pesë vjeç në një kopsht publik.
Ndërkohë, një tjetër vendim gjyqësor pritet muajin e ardhshëm për një mbikëqyrës 47-vjeçar të akuzuar për abuzim seksual ndaj nëntë vajzave 10-vjeçare.
Reforma dhe suspendime në Paris
Kryetari i ri socialist i Parisit, ka njoftuar një plan prej 20 milionë eurosh për reformimin e sistemit të kujdestarëve në shkolla. Ai paralajmëroi se problemet nuk janë raste të izoluara, por tregojnë për një problem sistematik dhe një “kod heshtjeje” institucionale.
Vetëm nga janari deri në prill, bashkia e Parisit suspendoi 78 kujdestarë shkollorë, përfshirë 31 persona të dyshuar për abuzim seksual.
Organizatat e prindërve, si “SOS Periscolaire” dhe “#MeTooEcole”, thonë se skandali është i përhapur në të gjithë Francën dhe kërkojnë reforma urgjente për mbrojtjen e fëmijëve në shkolla.
Barka Zerouali, bashkëthemeluese e kolektivit të prindërve #MeTooEcoles, thotë se ankesat e familjeve janë injoruar prej kohësh nga zyrtarët e qytetit dhe policia.
“Kam frikë se është vetëm fillimi, sepse njoh shumë familje që ende nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet. Nuk jemi vetëm të zemëruar – jemi të indinjuar. Ndihem sikur kemi qenë duke folur me erën”, ka thënë ajo për “France24”.
Ndryshe nga mësuesit, të cilët punësohen nga ministria e arsimit, stafi në periscolaire rekrutohet nga zyrtarët e qytetit, shpesh me pozicione të përkohshme që ofrojnë paga të ulëta dhe kërkojnë vetëm trajnim minimal.
Duke iu nënshtruar presionit nga opozita, kryebashkiaku ka rënë dakord të mërkurën të nisë një hetim ndërpartiak mbi trajtimin e çështjes.
Mbi 600 dëshmi nga familjet
Kolektivi tjetër i prindërve, SOS Periscolaire, ka njoftuar se ka marrë më shumë se 600 dëshmi nga familje që detajojnë pretendimet për abuzim fizik, psikologjik dhe seksual në çerdhe dhe shkolla fillore në të gjithë Francën, duke theksuar se problemi nuk kufizohet vetëm në Paris.
Vërtetimi i rasteve të abuzimit mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë kur viktimat janë vetëm tre vjeç dhe shpesh nuk janë në gjendje ta shprehin dhunën me fjalë.
“Kujtimet e fëmijëve zbehen me kalimin e kohës, veçanërisht kur janë shumë të vegjël. Prandaj është thelbësore që një fëmijë të dëgjohet sa më shpejt të jetë e mundur nga hetuesit. Fatkeqësisht, në përgjithësi duhen disa muaj që një ankesë në polici të çojë në një thirrje nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve – deri në këtë pikë çdo shenjë fizike mund të jetë zhdukur”, është thënë nga drejtues të SOS Periscolaire.
Përfaqësuesit e prindërve thonë se pengesa të tilla shpjegojnë pse vetëm një numër i vogël rastesh përfundojnë në gjykata.
Avokatja Kathleen Taieb ka vlerësuar që shpejtësia në hetimin e rasteve luan rol thelbësor, duke pasur parasysh natyrën e akuzave dhe moshën e re të viktimave.
“Në vend të kësaj, duhen muaj për të intervistuar fëmijët, deri në një vit për të kontrolluar mjediset e shkollës dhe shtëpitë ose telefonat e të dyshuarve, dhe shumë hetime thjesht pushohen”, ka thënë ajo.
Kryetari i bashkisë së Parisit ka përmendur gjithashtu pengesa ligjore në përpjekjet e tij për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve.
Grégoire gjithashtu mbrojti politikën e tij të pezullimit sistematik të punonjësve të kujdesit qoftë edhe me rastin më të vogël të dyshimit për abuzim, duke thënë se preferon që të jetë i padrejtë ndaj stafit sesa të marrë rrezikun më të vogël në lidhje me fëmijët.
Punonjësit denoncojnë kushtet e punës
Sindikatat organizuan një grevë gjatë javës së kaluar në periferitë e Parisit për të protestuar kundër asaj që e cilësuan si “pezullime arbitrare” të punonjësve dhe kushte të papërshtatshme pune. Sipas tyre, sistemi përballet me mungesë personeli, paga të ulëta dhe mungesë mbështetjeje profesionale për kujdestarët shkollorë.
Një prej punonjësve pjesëmarrës në grevë deklaroi për gazetën franceze “Le Monde” se klima e krijuar nga skandali ka rritur ankthin dhe ka shtyrë shumë punonjës të largohen nga puna.
Punonjës të tjerë theksuan se mungesa e trajnimeve profesionale i ka lënë të papërgatitur për të menaxhuar situata të ndjeshme me fëmijët.
Ata kritikuan edhe certifikatën standarde BAFA – një trajnim bazik dyjavor i detyrueshëm për punonjësit që kujdesen për fëmijët – duke e konsideruar të pamjaftueshme për përgjegjësitë që kërkon puna.
“Nuk mund ta mësosh një profesion brenda dy javësh. Nevojiten kualifikime të mirëfillta profesionale që trajtojnë nevojat e fëmijëve dhe ndihmojnë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe abuzimit seksual”, deklaroi Guthmann nga organizata SOS Périscolaire.
Ajo pranoi gjithashtu shumë nga shqetësimet e ngritura nga punonjësit e aktiviteteve pas shkollës, duke theksuar se shumica e monitorëve janë të përkushtuar dhe të kujdesshëm në punën e tyre.
“Ka shumë kujdestarë që janë thellësisht të përkushtuar ndaj fëmijëve dhe ne mbështesim kërkesën e tyre për më shumë vlerësim dhe njohje profesionale. Është thelbësore që ky profesion të rifitojë dinjitetin dhe kuptimin e tij”, ka shtuar ajo.
Marrë nga The Guardian