Shqipëria nuk do t’i bindet kërkesës së Rusisë, pasi ajo kërkoi largimin e diplomatëve dhe qytetarëve të huaj nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.
Kërkesë të tillë, Rusia ka bërë edhe ndaj Shteteve të Bashkuara më 25 maj.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e vlerësoi këtë njoftim të Rusisë si të “papranueshëm” dhe tha se Shqipëria nuk do të tërhiqet.
Sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainë dhe ky qëndrim i është përcjellë të enjten ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Alexey Zaitsev.
Kryediplomati Hoxha tha se përgjigja në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të jetë më shumë luftë, “më shumë krime apo sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile”.
E vetmja rrugë përpara, tha ai, është t’i jepet fund luftës përmes angazhimit në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.
Më 24 maj Rusia lëshoi qindra raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në mesin e caqeve të goditura ishte edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.
Gjatë këtij sulmi masiv u vranë të paktën katër persona.