Berat Gjimshiti ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij te Atalanta. Klubi italian ka njoftuar transferimin përfundimtar të mbrojtësit shqiptar te Al Diriyah, duke i dhënë fund një cikli të gjatë dhe të suksesshëm të 33-vjeçarit në Bergamo.
Gjimshiti largohet nga Atalanta pas një periudhe të rëndësishme në historinë e klubit. Mbrojtësi shqiptar ka veshur plot 334 herë fanellën zikaltër, duke shënuar 10 gola.
Kulmi i aventurës së tij në Bergamo ishte triumfi në Europa League më 22 maj 2024, kur Atalanta mposhti Bayer Leverkusenin në finalen e zhvilluar në Dublin dhe fitoi trofeun e parë madhor ndërkombëtar në historinë e klubit. Gjimshiti e luajti atë finale si kapiten, duke ngritur trofeun në një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij.
Në komunikatën zyrtare, Atalanta ka vlerësuar kontributin e madh të mbrojtësit shqiptar, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe për përkushtimin dhe lidhjen e tij me fanellën e klubit.
“Familja Percassi, ajo Pagliuca dhe i gjithë klubi zikaltër e falënderojnë përzemërsisht Beratin, jo vetëm për kontributin e tij në fushë, por edhe për angazhimin, përkushtimin dhe dashurinë për fanellën, duke i uruar fatet më të mira në këtë eksperiencë të re profesionale dhe për të ardhmen”, shkruan Atalanta.
Pas 334 ndeshjeve me klubin italian, Gjimshiti nis tashmë një kapitull të ri në karrierë në Arabinë Saudite, tek Al Diriyah.
Marrë nga Sportmediaset.it