Biznesmeni shqiptar që qëndron pas koncesionit të skanimit, Olti Peçini, ka përdorur një skemë të dyshimtë për shpërndarjen dhe transferimin e parave, duke bërë bilance të ndryshme dhe transaksione të tjera. Paratë që vijnë nga buxheti i shtetit po kanalizohen në disa firma, me qellim humbjen e gjurmëve, duke shmangur kështu institucionet kontrolluese dhe ato hetimore. I gjithë koncesioni i skanimit i dhënë nga qeveria “Berisha” dhe i rinegociuar me kushte tepër të dyshimta nga qeveria “Rama” është një aferë e madhe, që deri më tani i ka kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro dëme.
Gjatë 13 viteve ekzistencë të kësaj marrëveshje, ka pasur akuza të rënda për të gjithë procesin, duke qenë se kufijtë e Shqipërisë “ruhen” nga një firmë private dhe jo nga vetë shteti, ndërsa gjatë kësaj kohe droga ka vërshuar lumë në pikat e kalimit kufitar, qofshin ato tokësore, ujore apo ajrore. Në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë, edhe atje ku ka skanera nga koncesionari, ka lulëzuar edhe kontrabanda nga të gjitha anët, ku disa doganierë edhe nga radhët e aparatit qendror janë vënë nën akuzë. Deri më sot, firma koncesionare nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi.
Vox News ka analizuar dhjetëra dokumente të cilat nxjerrin zbuluar firmat dhe njerëzit pas këtij koncesioni, të cilët vetëm brenda 3 viteve të fundit, kanë fituar me letra mbi 10 milionë euro. Paratë janë ndarë mes dy firmave, por personi që qëndron pas tyre është Olti Peçini, që zotëron 49 % të firmës koncesionare dhe 100 % të firmës ICMS, atje ku kanalizohen këto para, për t’u shpërndarë në vende të tjera të dyshimta.
Vox News ka shfletuar dokumente zyrtare të kompanisë “S2 Albania”, e cila në vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm fitimin. E njëjta kompani ka xhiruar dhjetëra miliona euro, ndërkohë që në “lojë” futet edhe kompania që është ortake e saj, “ICMS”, e cila nga ana e saj bën sërish bilance me fitime prej miliona eurosh. Gjatë tre viteve të fundit 2023, 2024 dhe 2025, firma koncesionare “S2 Albania” ka dalë me një fitim të majmë prej 5.5 milionë euro.
Në vitin e kaluar, bilancet e të cilit janë dorëzuar ditët e fundit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, firma doli me një fitim prej 251 milionë lekësh. Nëse do ta krahasojmë me fitimin e vitit 2024, i cili ishte 103 milionë lekë, kemi një rritje me 143 % të fitimit. Shifra të frikshme. Në vitin 2023, e njëjta kompani koncesionare doli me një fitim prej 152 milionë lekësh.
Shifrat e mësipërme nuk kanë qenë të vetmet fitime të koncesionarit të skanimit, pasi firma që ka 49 % të aksioneve, ICMS, në pronësi 100 % të Olti Peçinit, ka regjistruar për 3 vitet e fundit një fitim të majmë prej 4.7 milionë euro. Këto para’ kanë ardhur të gjitha nga koncesioni i skanimit, pasi ICMS-ja, bën biznes vetëm me “S2 Albania”. Në vitin 2025 fitimin e kishte 148 milionë, në vitin 2024 fitimi ishte 149 milionë dhe në vitin 2023 fitimi ishte 135 milionë lekë. Fitime konstante për një firmë nënkontraktore të skanimit, por tepër të majmë.
Koncesioni u firmos në vitin 2011, me një afat kohor prej 15 vitesh, por klauzolat përcaktojnë se data e parë e operimit në çdo pikë doganore ka filluar në shtator të vitit 2015. E thënë ndryshe, koncesioni i skanimit do të përfundojë në shtator të vitit 2030.
Marrë nga VoxNews.al