Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar kompanitë ajrore që vazhdojnë të përdorin hapësirën ajrore ruse, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në thellësi të territorit të Rusisë.
Sipas presidentit ukrainas, rritja e sulmeve nuk synon aviacionin civil. “Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil si të tillë – asnjë avion civil. Thjesht do të ketë dronë në qiellin e Rusisë në një shkallë që duhet të merret parasysh”, tha ai.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka cilësuar deklaratat e Zelenskyt si një “deklaratë të terrorizmit shtetëror”, ndërsa ka bërë të qartë se Rusia do të vazhdojë sulmet e saj ndaj Ukrainës.
Duke folur për gazetarët në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kirgistan, Putin tha: “Ata po na kërkojnë të rifillojmë negociatat… por me terroristët nuk negociohet”.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë të jenë intensive. Sulmet e rënda të së hënës shkaktuan 12 viktima, ndërsa ushtria ruse ka deklaruar se po përgatitet për sulme “masive” ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike ukrainase.
Putin pranoi gjithashtu se sulmet ukrainase kanë dëmtuar infrastrukturën brenda territorit rus, por pretendoi se vetëm rreth 10% e kapaciteteve të rafinerive të naftës kishin mbetur për t’u riparuar.
Marrë nga Reuters