Sofia Moreira de Sousa është ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri. Diplomatja portugeze pritet të dorëzojë sot letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e saj në Tiranë. Moreira de Sousa pason në këtë post italianin Silvio Gonzato, i cili ka qenë në krye të Delegacionit të BE-së në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Në këtë periudhë, ajo është marrë me zhvillimet politike dhe proceset e integrimit rajonal në Afrikë, si dhe me partneritetin strategjik mes BE-së dhe vendeve afrikane. Karriera e Moreira de Sousës përfshin edhe angazhime në një prej periudhave më të rëndësishme të politikës së jashtme europiane. Nga viti 2003 deri në 2007, ajo ka qenë pjesë e ekipit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Javier Solana, ku ka punuar kryesisht për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Rusinë dhe Ukrainën. Ajo ishte gjithashtu pjesë e përpjekjeve europiane për ndërmjetësimin e krizës politike në Ukrainë pas Revolucionit Portokalli të vitit 2004.
Në vitet 2005-2006, diplomatja portugeze ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, një detyrë që e ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të rajonit. Më pas, deri në vitin 2014, ajo ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe pjesë e strukturave që merreshin me negociatat për çështje të lidhura me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë. Rruga profesionale e Moreira de Sousës nuk ka nisur drejtpërdrejt në diplomaci. Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës, ku është angazhuar në aspektet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.
Ajo ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Europiane në Trier të Gjermanisë, ku është marrë me përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën europiane. Para angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar profesionin e avokates për dy vjet në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes. Diplomatja portugeze ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut, në Gjermani.
Marrë nga Balkanweb.com