Vera e këtij viti, aspak e favorshme në aspektin hidrik, duket se ka nxitur sërish importet e energjisë, në kushtet kur prodhimi nga hidrocentralet ka qenë më i kontrolluar, teksa konsumi ka shënuar rritje. Vetë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpenzuar të paktën 62 milionë euro në importe gjatë procedurave të fundit të blerjes së energjisë, që kryesisht lidhen me periudhën e verës. Sasia e energjisë së blerë arrin në rreth 469,950 MWh.
Pjesa më e madhe e importeve lidhet me kontraktimin e energjisë për periudhën 1 korrik-30 shtator, kur KESH siguroi 331,200 MWh me një çmim mesatar të ponderuar prej 125.47 euro/MWh. Vlera e kësaj blerjeje rezulton rreth 41.56 milionë euro.
Kësaj sasie i shtohen edhe dy procedurat më të fundit të blerjes gjatë gushtit, përmes të cilave KESH kontraktoi në total 109,950 MWh, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 16.23 milionë eurosh. Për periudhën 22-30 gusht, kompania bleu 25,605 MWh në dy lote. Njëri prej tyre ishte 10,800 MWh me çmim të ponderuar 139.13 euro/MWh, ndërsa tjetri 14,805 MWh me çmim të ponderuar 126.62 euro/MWh.
Procedura për 31 gusht-30 shtator ishte më e madhe, me 84,345 MWh të kontraktuara në katër lote. Çmimet mesatare të ponderuara varionin nga 118.69 euro/MWh deri në 169.21 euro/MWh. Rritja e importeve gjatë verës vjen pas një fillimviti kur KESH ishte kryesisht në pozicionin e shitësit, i mbështetur nga prodhimi i lartë hidroenergjetik. Në periudhën janar-prill, kompania shiti 456,945 MWh energji dhe arkëtoi 33.15 milionë euro me TVSH, me një çmim mesatar shitjeje prej 60.51 euro/MWh.
Shkurti shënoi volumin më të lartë të shitjeve, me 223,894 MWh dhe 13.52 milionë euro të ardhura me TVSH. Në janar, të ardhurat nga shitja e energjisë arritën në 12.16 milionë euro, ndërsa marsi dhe prilli sollën rreth 3.7 milionë euro secili. Në të njëjtën periudhë, importet ishin të kufizuara. KESH bleu në janar 28,800 MWh, me një kosto prej 4.22 milionë eurosh me TVSH, ndërsa në shkurt, mars dhe prill nuk rezultuan blerje të përfunduara për shërbimin publik.
Marrë nga Monitor