Më 8 korrik 2026, Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian rrëzoi një tjetër përpjekje të oligarkut rus Oleg Deripaska për të hequr sanksionet e vendosura ndaj tij pas agresionit rus në Ukrainë.
Gjykata e cilësoi Deripaskën një “biznesmen me ndikim” që vepron në një sektor ekonomik me rëndësi për të ardhurat e qeverisë ruse dhe rrëzoi pretendimet e tij se ishte shkëputur nga interesat e mëparshme të biznesit.
Vendimi shënoi një tjetër humbje për themeluesin e kompanisë së aluminit Rusal dhe një prej oligarkëve rusë më të njohur në Perëndim.
Por vite përpara se sanksionet evropiane t’i ngrinin asetet dhe të drejtat e tij si aksioner, interesat ekonomike të Deripaskës kishin mbërritur edhe në Shqipëri – jo përmes një kompanie ruse apo një biznesi që mbante emrin e tij, por nëpërmjet një prej korporatave më të mëdha të ndërtimit në Evropë.
Deripaska kontrollonte përmes kompanisë Rasperia Trading Limited një paketë prej rreth 28 për qind të aksioneve të kompanisë austriake Strabag SE.
Strabag kishte ndërkohë një prani të rëndësishme në tregun shqiptar të ndërtimit, drejtpërdrejt dhe përmes filialit të saj Trema Engineering 2, duke fituar kontrata për rrugë, rindërtim e objekteve pas tërmetit të vitit 2019-të dhe projekte të tjera infrastrukturore.
Të dhënat e pagesave të thesarit të analizuara nga BIRN tregojnë se vetëm nga janari 2019 deri në prill 2022, kompanitë e lidhura me Strabag arkëtuan rreth 23 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Në këtë periudhë, Deripaska ishte në listën amerikane të sanksioneve, por ende jo në atë të Bashkimit Evropian.
Rasti i oligarkut rus ngre pikëpyetje mbi aftësinë e institucioneve shqiptare për të identifikuar interesat ekonomike që qëndrojnë pas kompanive që përfitojnë para publike, por edhe mbi hendekun që ekzistonte në atë kohë mes regjimeve amerikane dhe evropiane të sanksioneve.
Ekspertët i thanë BIRN se kontrolli i një kompanie vetëm në nivelin e pronarit të saj të drejtpërdrejtë nuk mjafton për të zbuluar se kush mund të përfitojë ekonomikisht në fund të një zinxhiri të ndërlikuar korporativ.
“Autoritetet e prokurimit shpesh skanojnë emrin e ofertuesit dhe ndoshta pronarin e tij të menjëhershëm,” tha Tom Keatinge, drejtor i Qendrës për Financa dhe Siguri në institutin britanik RUSI.
“Ata kanë shumë më pak gjasa të hartojnë të gjithë zinxhirin e pronësisë, të drejtat e votës dhe përfituesit fundorë ekonomikë,” shtoi ai.
Sipas Keatinge, një kompani e njohur evropiane mund të shërbejë në raste të tilla si një “mburojë legjitimiteti”.
Strabag i tha BIRN se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi me Deripaskën dhe këmbënguli se oligarku rus nuk zotëron dhe nuk kontrollon drejtpërdrejt apo tërthorazi kompaninë ose sipërmarrjet e grupit.
“Që nga fillimi i luftës, ne kemi mbajtur një qëndrim të qartë dhe kemi zbatuar masa vendimtare për t’u distancuar nga aksioneri i sanksionuar,” tha Birgit Kümmel, drejtuese e Komunikimit Ndërkombëtar në Strabag SE.
Kompania theksoi gjithashtu se Strabag nuk është subjekt i sanksioneve që do ta pengonin atë të zhvillonte aktivitet biznesi.
Mburoja e legjitimitetit
Oleg Deripaska është prej dekadash një nga figurat më të fuqishme të biznesit rus, me një pasuri të krijuar gjatë të ashtuquajturave “luftërave të aluminit” dhe të konsoliduar më pas përmes lidhjeve të tij me shtetin rus dhe presidentin Vladimir Putin.
Në vitin 2024, Deripaska e quajti publikisht luftën në Ukrainë një “çmenduri”, duke kritikuar kryesisht kostot dhe dëmin ekonomik të saj. Megjithatë, për qeveritë perëndimore ai vazhdon të konsiderohet i lidhur ngushtë me Kremlinin dhe prej vitesh është objekt i sanksioneve.
Në Shqipëri, interesat e tij ekonomike nuk u shfaqën asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Lidhja kalonte përmes strukturave korporative jashtë vendit. Përmes kompanisë “Rasperia Trading Limited”, të regjistruar në Qipro, Deripaska zotëronte rreth 28% të aksioneve të korporatës austriake Strabag SE – një përqindje që u reduktua pas vendosjes së sanksioneve.
Përmes këtij zinxhiri pronësie, lidhja shtrihej edhe te aktiviteti i Strabag në Shqipëri, përfshirë kompaninë Trema Engineering 2 dhe degën e “Strabag” në Tiranë, të cilat përfituan dhjetëra milionë euro nga buxheti shtetit për projekte rrugore dhe infrastrukturore.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, pozicioni i Deripaskës dhe i interesave të lidhura me të në Evropë u dobësua ndjeshëm. Sanksionet ngrinë asetet e tij, përfshirë aksionet e “Rasperia” në Strabag, duke i hequr kompanisë aksesin në të drejtat që rridhnin nga statusi i aksionerit.
Deripaska i ka kundërshtuar masat në gjykata të ndryshme, nga Australia e deri në Bashkimin Evropian, por përpjekjet e tij ligjore nuk kanë sjellë heqjen e sanksioneve.
Edhe Strabag konfirmoi për BIRN se aksionet e “Rasperia” dhe të gjitha të drejtat e lidhura me to u ngrinë në vitin 2022, në përputhje me regjimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Korporata bëri me dije gjithashtu se në dhjetor 2024 kompania e lidhur me Deripaskën ndryshoi aksionerë.
“Strabag SE mori njoftimin e aksionerit kryesor për MKAO* ‘Rasperia Trading Ltd.’, duke njoftuar se MKAO Valtoura Holdings Limited kontrollon Rasperia. Kjo të çonte në supozimin se Rasperia nuk kontrollohet më nga Oleg Deripaska”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, ndryshimet në strukturën e pronësisë janë pritur me dyshim nga autoritetet në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa aksionet e “Rasperia Trading Ltd” në Strabag SE vazhdojnë të mbeten të ngrira dhe nën sanksione.
Rasti nxjerr në pah vështirësinë e institucioneve për të identifikuar interesat ekonomike të personave të sanksionuar kur ato fshihen pas disa shtresave të pronësisë korporative dhe kompanive të regjistruara në juridiksione të ndryshme.
Sipas Zef Preçit, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, në ekonominë e sotme “pronësia formale, domethënë ajo që shënohet në dokumentet zyrtare, shpesh është vetëm fasada”.
Ai thekson se kontrolli real, përfitimi ekonomik dhe ndikimi mbi vendimmarrjen “mund të kalojnë përmes zinxhirëve të kompanive, aksionerëve të ndërmjetëm, marrëveshjeve të fshehta dhe juridiksioneve offshore”.
Për Shqipërinë, sipas Preçit, ky nuk është një problem i izoluar. Ai argumenton se një pjesë e koncesioneve të dekadës së fundit janë ndërtuar mbi struktura të ngjashme pronësie, të cilat sipas tij krijojnë rrezik për integritetin e shtetit.
“Nëse fondet publike përdoren nga kompani që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, krijojnë përfitim për persona të sanksionuar si rasti Deripaska, atëherë problemi nuk është më teknik; është çështje e integritetit të shtetit, e sigurisë ekonomike dhe e besimit te prokurimi publik”, tha ai.
Hendeku 4-vjeçar
Shtetet e Bashkuara e vendosën Oleg Deripaskën nën sanksione në vitin 2018, duke e përfshirë në listën e personave të sanksionuar për një sërë akuzash që lidheshin me aktivitetet e qeverisë ruse.
Bashkimi Evropian ndoqi një rrugë tjetër.
Brukseli e vendosi oligarkun rus nën sanksione katër vjet më vonë, në prill 2022, pas agresionit të Ukrainës nga Rusia.
Hendeku katërvjeçar mes sanksioneve amerikane dhe atyre evropiane pati pasoja edhe në Shqipëri.
Megjithëse Deripaska ishte nën sanksionet e SHBA-së që prej vitit 2018, kompanitë shqiptare të lidhura përmes zinxhirit të pronësisë me Strabag vazhduan të merrnin kontrata publike dhe pagesa nga buxheti i shtetit.
Të dhënat e Instituti Shqiptar i Shkencës nëpërmjet platformës ‘Spending Data’, që përmbledhin shpenzimet e Thesarit të Shtetit, tregojnë se nga janari 2019 deri në prill 2022, kur Bashkimi Evropian vendosi sanksionet, kompanitë ku Deripaska rezultonte aksioner i tërthortë arkëtuan rreth 23 milionë euro, sipas kursit të këmbimit të kohës.
Pagesat lidhen kryesisht me projekte infrastrukturore të financuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si dhe me tenderë të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019.
Agon Maliqi, hulumtues jorezident pranë Këshillit Atlantik në Uashington D.C., e sheh këtë si pasojë të një boshllëku ligjor dhe politik, me të cilin nuk përballej vetëm Shqipëria.
“Asokohe si në Evropë ashtu edhe në Shqipëri, përkundër sanksioneve amerikane, mungonte baza ligjore që një kompanie austriake t’i ndalohej veprimtaria,” thotë Maliqi.
Ai shton se “Shqipëria, edhe në këtë rast si edhe në shumë raste të tjera, ndodhej në njëfarë sanduiçi mes presioneve amerikane dhe atyre evropiane (në këtë rast austriake)”.
Tom Keatinge, ekspert i sanksioneve në Royal United Services Institute, RUSI, paralajmëron se boshllëqe të tilla krijojnë mundësi për ristrukturimin e interesave ekonomike para se sanksionet të harmonizohen.
Sipas tij, këto boshllëqe janë kritike “sepse ato krijojnë një dritare në të cilën asetet mund të zhvendosen, pronësia mund të ristrukturohet dhe kontratat ose marrëveshjet e financimit mund të sigurohen”.
Megjithatë, Keatinge vë në dukje se Shqipëria nuk mund të fajësohej për situatën dhe as mund të vepronte vetëm mbi bazën e sanksioneve amerikane.
Problemi, sipas tij, lind kur regjimet e ndryshme të sanksioneve krijojnë atë që ai e quan “problem të hallkës më të dobët”, ku “një transaksion i refuzuar në një vend mund të migrojë në një tjetër ku kontrolli është më pak i zhvilluar”.
Identifikimi i përfituesve fundorë si iluzion
Përtej vonesës së Evropës në vendosjen e sanksioneve, ekspertët identifikojnë dobësi edhe në mekanizmat shqiptarë për kontrollin e pronësisë së kompanive.
Shqipëria ka një regjistër të pronarëve përfitues, por Zef Preçi e cilëson atë si një “arkiv vetëdeklarimesh” dhe jo si një instrument real kontrolli.
Sipas tij, kur konstatohet një mospërputhje apo problem me pronësinë, ajo nuk duhet të mbetet “vetëm një shënim administrativ”. Institucionet, argumenton ai, duhet të kenë mundësi të bllokojnë tenderin, të pezullojnë ekstraktin dhe “të çojnë çështjen për hetim financiar e penal”.
“Transparenca nuk mund të jetë fakultative; kontrata nuk duhet të nënshkruhet pa identifikimin e qartë të përfituesit real”, thotë Preçi.
Ai ngre si problem edhe ndryshimet në pronësinë e kompanive pasi kontratat publike janë nënshkruar.
“Pronësia ndryshon, aksionet shiten, kontrolli zhvendoset dhe personat e sanksionuar mund të shfaqen më vonë në zinxhirin e përfitimit,” thekson ai.
Sipas Preçit, ligjet dhe regjistrat kanë gjithashtu efekt të kufizuar nëse administrata nuk ka kapacitetin apo vullnetin për të kontrolluar strukturat komplekse të pronësisë.
Ai vëren se në raste të tilla shpesh “mungon aftësia për të lexuar përtej dokumentit të parë”, ndërsa denoncon edhe ndërhyrjet politike, të cilat sipas tij “ushtrojnë një presion të nënkuptuar mbi institucionet”.
“Mjafton një pritje jozyrtare në zyrat e qeverisë, një vizitë në vende ku KM as negocion dhe as nënshkruan asgjë për interesin publik, ose edhe vetëm një foto me të dhe administrata publike vihet në rresht për të shërbyer symbyllurazi ‘biznesmenë’ të kësaj kategorie,” thotë Preçi, duke pretenduar se në këto raste pengesat institucionale “zhduken”.
Lufta hibride përmes sekserëve
Përfitimet e kompanive të lidhura me Oleg Deripaskën në Shqipëri nuk u kufizuan vetëm te kontratat e infrastrukturës.
Në vitin 2017, “Trema Engineering 2” u përfshi me 33% të aksioneve në shoqërinë koncesionare “Shushica Hydropower Sh.p.k.”, një projekt koncesionar, i cili më pas u anulua mes kontestimeve të aktivistëve të mjedisit dhe vendimit të qeverisë për të vendosur në mbrojtje Vjosën dhe tributarët e saj.
Për Agon Maliqin, investimet e drejtpërdrejta në sektorin formal të ekonomisë janë vetëm një element “periferik” i mënyrës se si Rusia mund të ushtrojë ndikim.
“Rusia i parapëlqen lidhjet e natyrës korruptive që do t’i bënin këto elita të shantazhueshme dhe të ndikueshme për t’u shërbyer interesave ruse,” thotë Maliqi.
Megjithatë, sipas tij, elitat shqiptare kanë pasur burime të tjera të rëndësishme financimi që kanë ushqyer korrupsionin, pa pasur domosdoshmërisht nevojë për kapital rus.
Ironikisht, ai thotë se ka gjasë që “lidhjet me krimin e organizuar dhe trafiqet ndërkombëtare, e kanë dobësuar tundimin drejt kapitalit rus”.
Por krimi i organizuar mund të jetë njëkohësisht një pikë dobësie që mund të shfrytëzohet për ndikim të huaj.
“Dyshimi im personal është se Rusia mund ta ketë shënjestruar hallkën më të dobët në Shqipëri nga prizmi i sigurisë dhe me pushtet të madh joformal, e ky është krimi i organizuar dhe lidhjet e tij politike”, thotë Maliqi.
Një prej rasteve që lidh Shqipërinë me rrethin e Deripaskës është ai i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
McGonigal pranoi fajësinë në Shtetet e Bashkuara në një çështje që lidhej me punën e tij për Deripaskën pas largimit nga FBI-ja. Paralelisht, aktiviteti i tij në Shqipëri dhe kontaktet me persona të lidhur me qeverinë shqiptare u bënë pjesë e një çështjeje tjetër penale në SHBA.
Rasti i McGonigal ilustron rolin e atyre që Keatinge i quan “Enablers” – mundësuesit që ndihmojnë në ndërtimin dhe funksionimin e strukturave të sofistikuara financiare dhe korporative.
“Mundësuesit… janë shpesh sistemi operativ i shmangies së sanksioneve,” thotë eksperti i RUSI.
“Avokatët, llogaritarët, ofruesit e shërbimeve të korporatave dhe konsulentët… ofrojnë njëkohësisht aftësi teknike dhe një lustër legjitimiteti”, shton ai.
Rasti i interesave të lidhura me Deripaskën në Shqipëri ngre pikëpyetje mbi aftësinë e filtrave burokratikë dhe të regjistrave formalë për të mbrojtur fondet publike nga interesat e personave të sanksionuar.
Kur këto interesa kalojnë përmes kompanive të regjistruara ligjërisht dhe aktive në Bashkimin Evropian, ekspertët argumentojnë se institucionet nuk mund të mbështeten vetëm te dokumentacioni formal, por duhet të verifikojnë pronësinë dhe përfituesit ekonomikë.
Përtej procedurave, Maliqi e sheh çështjen të lidhur me imunitetin e institucioneve shqiptare ndaj korrupsionin, si një nga dobësitë kryesore të sistemit.
“Korrupsioni është në thelb edhe brishtësi e sigurisë kombëtare”, përfundoi ai.
Marrë nga BIRN