Një ngjarje e rëndë po aq dhe skandaloze është regjistruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Sarandës, ku një efektiv policie është marrë peng nga disa të paraburgosur. Ky denoncim u bë publik më herët nga vetë avokati Arben Llangozi, i cili njoftoi se efektivi u mbajt për disa orë nga personat e shoqëruar në Komisariat.
Ndërkohë, burime për mediat njoftojnë se janë marrë masat e para për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe personat përgjegjës.
Me situatën është njohur edhe drejtuesi i Policisë, Skënder Hitaj, ndërsa në kuadër të masave të para, sipas asaj që Saranda Web njofton, është vendosur pezullimi nga detyra i tre punonjësve, Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani.
Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani ngjarja ka nisur gjatë orëve të mesnatës, kur në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Sarandës ka pasur një konflikt fizik mes disa prej personave që ndodheshin të shoqëruar. Situata ka vijuar të përshkallëzohet, duke detyruar punonjësit e policisë të ndërhyjnë me qëllim për të neutralizuar istuatën.
Mirëpo ndërhyrja e tyre nuk ka mjaftuar për të ndalur përshkallëzimin dhe thuhet se në konflikt janë përfshirë edhe tre punonjës policie. Si rrjedhojë të shoqëruarit kanë marrë peng një prej efektivëve, duke e detyruar atë të qëndrojë për disa orë në kontrollin e tyre.
Për normalizimin e situatës është angazhuar Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë e Fierit, e cila ka mbërritur në Komisariatin e Sarandës pas përshkallëzimit të konfliktit. Pas ndërhyrjes së forcave speciale, situata është vënë nën kontroll dhe efektivi i policisë i cili mbahej nga personat e ndaluar, është liruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
“Një ngjarje e përmasave jashtëzakonisht të rënda ka tronditur Komisariatin e Policisë Sarandë gjatë natës së kaluar. Persona të arrestuar kanë dalë nga ambientet e izolimit, kanë marrë nën kontroll situatën dhe kanë kapur një punonjës policie, duke e futur brenda ambienteve ku mbaheshin të ndaluarit dhe duke e mbajtur aty për orë të tëra. Situata ka dalë në atë masë jashtë kontrollit sa është kërkuar ndërhyrja e FNSH-së nga Fieri. Pas orësh tensioni dhe negociatash, efektivi është liruar vetëm rreth orës 07:30 të mëngjesit”, thuhej më tej në denoncimin e avokatit.
Pas incidentit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarrë masat e para administrative dhe hetimore. Tre punonjësit e patrullës, Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani, janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tyre po verifikohet roli dhe qëndrimi që ata kanë mbajtur në këtë konflikt.
Paralelisht me masat e marra, AMP Vlorë po vijon hetimet për të rindërtuar në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes, duke nisur nga momenti i konfliktit mes personave të shoqëruar, ndërhyrja e punonjësve të policisë, përshkallëzimi i situatës dhe deri te momenti kur një prej efektivëve u mbajt peng për disa orë.
Sakaq lidhur me këtë ngjarje pritet dhe një reagim zyrtar nga Policia, informacionet e lartpërmendura janë mbledhur në rrugë jozyrtare!
Marrë nga Newsbomb.al