Dërgesat e arit rus drejt Hong Kongut janë rritur ndjeshëm këtë vit, ndërsa territori kinez po shndërrohet në një nga qendrat kryesore të tregtimit të arit të vendosur nën sanksione nga Perëndimi.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur qendrat aziatike po konkurrojnë për të marrë nën kontroll një pjesë më të madhe të tregtisë globale të arit, e cila tradicionalisht ka qenë e përqendruar në Londër, Nju Jork dhe Dubai.
Të dhënat e tregtisë së Hong Kongut tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti u importuan nga Rusia gati 100 tonë ar, një nivel rekord dhe pothuajse trefishi i sasisë së importuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025.
“Që kur Londra i mbylli dyert arit rus pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, prodhuesit rusë i kanë ridrejtuar gjithnjë e më shumë eksportet drejt tregjeve lindore”, tha Debajit Saha, analist në London Stock Exchange Group.
Eksportet ruse të arit drejt Hong Kongut janë rritur që nga viti 2022, kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj arit rus. Hong Kongu dhe Kina nuk kanë vendosur kufizime të tilla.
Në të njëjtën kohë, një numër në rritje i bankave qendrore në mbarë botën kanë nisur të riatdhesojnë arin e ruajtur në Londër dhe Nju Jork, mes tyre Franca dhe Holanda.
Kina është prodhuesi dhe konsumatori më i madh i arit në botë, ndërsa Hong Kongu po pozicionohet si një qendër e rëndësishme për tregtimin e arit. Në korrik, qyteti nisi testimin e një sistemi të ri për kompensimin dhe shlyerjen e transaksioneve të arit.
Roli i Hong Kongut në lehtësimin e flukseve të arit rus drejt Kinës është një “pasojë e marrëdhënieve ekonomike Rusi-Kinë”, ku Moska shet burime natyrore Pekinit në këmbim të mbështetjes ekonomike, tha Vita Spivak, konsulente në kompaninë britanike të këshillimit gjeopolitik Gatehouse.
Subjektet në Hong Kong kanë blerë ar rus me vlerë rreth 276 miliardë dollarë hongkongas (35 miliardë dollarë amerikanë) që nga fillimi i vitit 2022.
Pjesa më e madhe e arit që hyn në Hong Kong përfundimisht vazhdon rrugën drejt Kinës kontinentale, ndërsa pjesa e Hong Kongut në totalin e importeve të arit të Kinës është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Meqë Kina kontinentale vendos kuota për importet e arit, blerësit kinezë shpesh blejnë arin dhe e mbajnë atë në Hong Kong, i cili nuk ka kufizime për importet, tha Saha i LSEG.
Rusia është prodhuesi i dytë më i madh i arit në botë, pas Kinës, dhe Moska është mbështetur gjithnjë e më shumë te eksportet e mallrave, veçanërisht drejt Kinës, për të mbështetur ekonominë e saj në kohë lufte.
Konflikti në Lindjen e Mesme po e rrit më tej rolin e Hong Kongut si qendër për shlyerjen dhe përpunimin e transaksioneve të arit nga Rusia, pjesërisht për shkak të ndërprerjeve logjistike në Dubai.
Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj disa subjekteve në Hong Kong për rolin e tyre në një rrjet pastrimi parash përmes arit, që përfshinte Rusinë.
Së bashku me Singaporin, Hong Kongu është pozicionuar si një qendër tregtimi për arin dhe gjithashtu po punon për të bindur bankat qendrore që ta ruajnë arin e tyre në kasafortat e qytetit.
Roli i Hong Kongut në lehtësimin e tregtisë së arit midis Kinës dhe Rusisë është pjesë e “përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar rolin e Hong Kongut si qendër financiare rajonale me karakteristika kineze”, tha Jeremy Mark, bashkëpunëtor i lartë në Atlantic Council.
“Hong Kongu ka qenë një qendër e tregtimit të arit për breza me radhë dhe kjo ‘infrastrukturë’ mund të përdoret në avantazh të Kinës”, tha ai.
Në Kinë ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe për ar si nga investitorët individualë, ashtu edhe nga banka qendrore, e cila ka rritur ndjeshëm rezervat e saj të arit.
Megjithatë, analistët paralajmëruan se rritja e sasive të arit rus në Hong Kong përbën një sfidë për industrinë financiare ndërkombëtare të qytetit, pasi e bën më të ndërlikuar për bankat dhe rafineritë perëndimore respektimin e ligjeve të sanksioneve të vendeve të tjera.
“Bankat perëndimore përballen me një rrezik real ekspozimi të paqëllimshëm”, tha Tan Albayrak, specialist i sanksioneve në firmën ligjore Reed Smith. “Nëse zinxhiri i transaksionit përfshin një prodhues të sanksionuar, atëherë do të kishte ekspozim për kryerjen e transaksioneve, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, me atë prodhues të sanksionuar.”
I pyetur për rrezikun që ari rus të përzihet me arin e vendeve që nuk janë nën sanksione, Byroja e Shërbimeve Financiare dhe Thesarit e Hong Kongut tha, se pjesëmarrësit në sistemin e ri të shlyerjes do t’i nënshtroheshin “rregulloreve përkatëse kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Marrë nga Financial Times