41 kg e 350 gramë kokainë janë kapur ditën e sotme në Portin e Durrësit gjatë kontrolleve në kontenier. Mësohet se droga e fortë është trafikuar nga Brazili me qëllim futjen në tregun shqiptar. Gjatë kontrollit të një kontejneri me origjinë nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule, policia konstatoi në kapakët e jashtëm të tij 37 paketime me kokainë.
Vlera në treg e kokainës së kapur mësohet se arrin rreth 2 milion euro. Ky është rasti i tretë i tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit brenda një muaji.
Njoftimi i Policisë:
Port, Durrës/ Goditet një rast i trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë. Brenda një muaji goditen 3 raste të tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Marrë nga Dosja.al