Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të marrë në pronësi dy termocentralet lundrueset të Vlorës, të cilat deri më tani i ka operuar në bazë të një marrëveshjeje qiraje me pronarët e tyre – kompaninë amerikane të gazit natyror “Excelerate Energy” dhe firmën italiane të inxhinierisë “Renco”.
Enti Rregullator i Energjisë është në pritje të dokumenteve shtesë për t’i dhënë KESH-it një licencë afatgjatë për operimin e këtyre centraleve me kapacitet total prej 100 Më, përfshirë dokumentet që lidhen me kalimin e pronësisë te KESH-i, njoftoi ministri i Energjisë Karakaci javën e kaluar në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.
KESH-i dorëzoi një kërkesë në ERE për një licencë afatgjatë operimi për dy termocentralet lundruese në muajin korrik. Këto termocentrale punojnë me naftë të rëndë dhe KESH-i i ka operuar ato deri më tani në bazë të marrëveshjeve dyvjeçare të qirasë. Sipas regjistrit të biznesit, pronësia e këtyre aseteve ndahet në raportin 90/10 midis “Excelerate Energy” dhe “Renco”.
Shpërdorim masiv i parasë publike
Dy anijet konsiderohen si një nga rastet më flagrante të shpërdorimit masiv të parasë publike. Sipas marrëveshjes me Excelerate, Korporata Shqiptare pagoi 94 mijë dollarë në ditë për një periudhë dy vjeçare për qiranë e këtyre dy anijeve, ndërkohë që nuk dihet sasia e energjisë së prodhuar prej tyre.
Në total për periudhën dy vjeçare marrëveshja kishte një vlerë prej rreth 70 milionë dollarësh, dy të tretat e të cilës ishin pagesë qiraje, ndërsa pjesa tjetër kosto mirëmbajtje.
Si përfundim, KESH pagoi 70 milionë dollarë për të marrë dy asete jo rentabël, të cilat kanë një kosto jashtëzakonisht të lartë të prodhimit të energjisë. Kjo është dhe arsyeja që në periudhën e qirasë ato u përdorën shumë pak, pavarësisht se paratë u paguan.
Dy anijet u sollën në vend në vitin 2022 me argumentin për të forcuar sigurinë energjetike.
Marrë nga Kapitali.al