Gjykata e Lartë ka dalë kundër projektligjit të mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke i kërkuar Kuvendit që të mos e miratojë atë në seancën plenare të 17 shtatorit në formën aktuale. Projektligji mori një ditë më parë miratimin në Komisionin e Ligjeve.
Përmes një reagimi publik, Gjykata e Lartë ngre shqetësime për mënyrën se si është zhvilluar konsultimi me përfaqësuesit e gjyqësorit. Sipas saj, këta të fundit janë njoftuar më pak se dy orë përpara dëgjesës dhe nuk kanë pasur në dispozicion të gjitha amendamentet, opinionin e plotë financiar të qeverisë dhe variantin përfundimtar të projektligjit që synohet të votohet.
Gjykata argumenton gjithashtu se shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nuk janë reflektuar në mënyrë të dukshme në draft. Në reagim theksohet se konsultimi institucional nuk duhet të jetë thjesht formal, por duhet të garantojë shqyrtimin real të argumenteve të palëve të përfshira.
Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Gjykata e Lartë vlerëson se projektligji nuk ka reflektuar në tërësi arsyetimin kushtetues të këtij vendimi dhe kërkon që drafti të rivlerësohet përpara se të kalojë në votim. Vetë Gjykata Kushtetuese ka deklaruar më herët se vendimi i saj është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.
Gjykata e Lartë kërkon gjithashtu që Kuvendi të sqarojë mënyrën dhe kohën e depozitimit të amendamenteve, të publikojë mendimin e Këshillit të Ministrave mbi efektet financiare dhe t’i japë gjyqësorit mundësinë të shprehet mbi variantin që synohet të votohet.
Në përfundim, institucioni i bën thirrje Parlamentit të ndalë procedimin e draftit në gjendjen aktuale, duke argumentuar se pikëpyetjet mbi transparencën dhe procedurën duhet të sqarohen përpara votimit në seancë plenare.
Marrë nga VNA.al