Sezoni turistik i verës ka sjellë një rritje të fortë të aktivitetit të strukturave akomoduese në Shqipëri, me mbi 816 mijë vizitorë të regjistruar vetëm gjatë muajit korrik 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve që qëndruan në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 15.2% krahasuar me korrikun e një viti më parë.
Në total, strukturat akomoduese pritën 816,563 vizitorë, nga 708,605 në korrik 2025. Pjesa dërrmuese e rritjes ka ardhur nga turistët e huaj. Numri i vizitorëve jo-rezidentë arriti në 622,660, kundrejt 526,302 një vit më parë, ose 18.3% më shumë. Vizitorët rezidentë u rritën me një ritëm më të moderuar, prej 6.4%, duke arritur në 193,903 persona.
Të dhënat tregojnë se rritja e turizmit po reflektohet jo vetëm në numrin e personave të akomoduar, por edhe në net-qëndrime. Në korrik, numri i net-qëndrimeve u rrit me 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vizitorët e huaj rritja ishte 17.3%, ndërsa për rezidentët 4.4%.
Një tjetër tregues i rëndësishëm për industrinë hoteliere është norma e shfrytëzimit të dhomave. Në korrik 2026 ajo arriti në 55.3%, nga 52.9% në korrik të vitit të kaluar, duke u rritur me 2.4 pikë përqindje. Kjo tregon një përdorim më të lartë të kapaciteteve hoteliere në kulmin e sezonit turistik.
Kosova vazhdon të jetë tregu kryesor i origjinës për vizitorët e huaj që përdorin strukturat akomoduese në Shqipëri. Në korrik, turistët nga Kosova përbënin 18% të vizitorëve të huaj, të ndjekur nga Italia me 13% dhe Polonia me 11%. Franca zinte 7% dhe Gjermania 6%, ndërsa 45% e vizitorëve vinin nga vende të tjera.
Bregdeti ka përthithur pjesën më të madhe të fluksit. Në zonat bregdetare u regjistruan 478,083 vizitorë të huaj, nga 392,704 në korrik 2025, një rritje prej rreth 21.7%. Edhe numri i vizitorëve rezidentë në bregdet u rrit, nga 131,137 në 151,042. Në total, zonat bregdetare pritën rreth 629 mijë vizitorë gjatë muajit.
Në ndarjen sipas rajoneve, Jugu regjistroi numrin më të lartë të vizitorëve të huaj, me 217,810, kundrejt 183,784 një vit më parë. Veriu shënoi gjithashtu një rritje të fortë, nga 157,624 në 202,785 vizitorë jo-rezidentë, ndërsa në rajonin Qendër numri u rrit nga 184,894 në 202,065.
Interesant është fakti se Veriu rezulton me një nga ritmet më të forta të zgjerimit të kërkesës së huaj. Numri i vizitorëve jo-rezidentë në këtë rajon u rrit me rreth 28.7% në harkun e një viti, më shpejt se në Jug dhe në rajonin Qendër. Kjo sugjeron një shpërndarje më të gjerë territoriale të flukseve turistike, ndonëse bregdeti vijon të dominojë në terma absolutë.
Hotelet dhe akomodimet e ngjashme mbeten forma kryesore e akomodimit. Në korrik ato regjistruan 558,018 vizitorë të huaj dhe 169,112 rezidentë. Ndërkohë, akomodimet për pushime dhe format e tjera të qëndrimit afatshkurtër pritën 57,187 vizitorë të huaj, nga 43,959 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej rreth 30%.
Marrë nga Ekofin.al