Furnizimi i pandërprerë me ujë mbetet përjashtim në Shqipëri.
Nga 17 operatorët e analizuar nga Enti Rregullator i Ujit për vitin 2025, vetëm Ujësjellësi Rajonal Lezhë raporton furnizim 24 orë në ditë, ndërsa në skajin tjetër Kamza vazhdon të furnizohet mesatarisht vetëm 4 orë në ditë dhe Vora 8 orë.
Pesë operatorë klasifikohen nga ERRU në kategorinë e performancës së dobët, me më pak se 17 orë furnizim në ditë. Përveç Kamzës dhe Vorës, në këtë grup janë Durrësi me 10.9 orë, Vlora me 13 orë dhe Kukësi me 14 orë. Kamza dhe Vora kanë mbetur në të njëjtin nivel të furnizimit gjatë tri viteve të fundit.
Durrësi shënon përkeqësimin më të fortë gjatë vitit. Furnizimi ra nga 13 orë në 2024 në 10.9 orë në 2025, ose 2.1 orë më pak në ditë. ERRU e lidh këtë rënie me problematikat në funksionimin e sistemit SCADA. Gjirokastra ra me 0.6 orë, Korça me 0.5 orë dhe Shkodra me 0.4 orë.
Pas Lezhës, rezultatet më të mira i kanë Pogradeci me 23.9 orë ujë në ditë dhe Korça me 23.5 orë. Në këto dy raste furnizimi i gjatë shoqërohet edhe me mbulim relativisht të lartë të popullsisë, përkatësisht 90.9% dhe 99%. Në Lezhë situata është e ndryshme: megjithëse furnizimi është 24 orë, shërbimi mbulon vetëm 55.9% të popullsisë së raportuar në juridiksionin e operatorit.
Ndërkohë Tirana ka një furnizim mesatar me ujë 17 orësh në ditë, të pandryshuar në 3 vitet e fundit.
Në nivel sektori, furnizimi rezulton 17.2 orë në ditë, nën kufirin prej 18 orësh që ERRU e konsideron performancë të mirë. Humbjet e larta në rrjet, lidhjet e paligjshme, faturimi aforfe dhe infrastruktura që kërkon rehabilitim renditen mes faktorëve që vazhdojnë të kufizojnë furnizimin e pandërprerë.
Marrë nga Ekofin.al