Qytetarëtu mblodhën ditën e sotme që në orën 09:00 para ambienteve të Kuvendit për të pritur deputetët, të cilët do të merrnin pjesë në seancën e sotme plenare.
Në kuadër të kësaj policia mori masa te rrepta sigurie, duke vendosur gardh metalik dhe kordon në akset që të çojnë te godina e Kuvendit. Kjo masë u mor në mënyrë që protestuesit të mos kalojnë perimetrin për të shkuar tek godina qeveritare.
Protesta ishte paralajmëruar prej ditësh dhe për këtë arsye ajo u shoqërua nga forca të shumta policie.
Situata u tensionua kur protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur pranë Ministrisë së Mbrojes, gjë e cila shkaktoi edhe përplasje me forcat e policisë.
Në kuadër të kësaj, policia nisi shoqërimin e disa personave mes tyre edhe Dritan Goxhajn. Pas kësaj, policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të largohen ose në të kundërt do të marrë masa të tjera, duke theksuar se bllokimi i rrugëve është vepër penale.
Ata kanë thirrur njëzëri “Arrestoni Ramën”, “Ju erdhi fundi” dhe “Qeveri e krimit”.
Nga ana tjetër, një protestues u shpreh se po protestojnë pasi ndihen të vjedhur, duke shtuar se kushdo polic që tenton të përdorë dhunë do të përgjigjet sipas ligjit.
Protestat qytetare në Tiranë kanë hyrë në ditën e 110-të, ndërsa protestuesit janë shprehur se nuk do ta ndalojnë aksionin e tyre deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës së vjetër poltike.
Ata shprehen se janë të pakënaqur me qeverisjen, ndërsa akuzojnë qeverinë për përhapje të korrupsionit në strukturat shtetërore dhe vjedhje.
Marrë nga Dosja.al