Tetë muaj pas përmbytjeve të janarit 2026 në Durrës, familjet e evidentuara si të dëmtuara ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet. Bashkia Durrës konfirmoi për Citizens.al se procesi vazhdon të jetë në fazën administrative dhe se lista përfundimtare e përfituesve nuk është miratuar ende.
“Familjet e evidentuara si të dëmtuara nga përmbytjet e janarit 2026 nuk janë likuiduar ende, pasi procedura administrative për miratimin e listës përfundimtare të përfituesve nuk ka përfunduar”, bëri të ditur Bashkia në përgjigje të një kërkese për informacion.
Përmbytjet e janarit prekën edhe zonën e Durrësit të Ri/Ish-Kënetës, ku Citizens.al raportoi më herët mbi dëmet në banesa dhe shqetësimet e banorëve për mungesën e dëmshpërblimeve.
Një prej tyre, Ahmet Tufa, tregoi se uji në banesën e tij kishte arritur rreth një metër lartësi, duke i dëmtuar edhe pajisjet elektroshtëpiake. Tetë muaj më vonë, lavatriçen e dëmtuar e kishte zëvendësuar me një të blerë me para borxh.
“Kanë ardhur, i kanë regjistruar, filmuar, edhe kaq. Unë i kam çuar letrat atje, me fotografi dhe me të gjitha. Deri më sot, s’kemi asnjë lloj përgjigjeje”, tregonte ai për Citizens.al.
Në përgjigjen e saj, Bashkia shpjegon se njësitë administrative kanë administruar dokumentacionin e paraqitur nga qytetarët dhe ia kanë përcjellë strukturave përkatëse pas plotësimit të praktikave individuale.
Sipas institucionit, procesi është zgjatur për shkak të plotësimit gradual të dokumentacionit nga qytetarët, përcjelljes së praktikave nga njësitë administrative, por edhe “fluksit të konsiderueshëm të praktikave administrative” të trajtuara nga strukturat përgjegjëse.
Megjithatë, Bashkia nuk bëri të ditur sa është numri i familjeve të evidentuara si të dëmtuara nga përmbytjet e janarit 2026, ndonëse kjo ishte një prej pyetjeve të drejtuara nga Citizens.al. Institucioni nuk dha as një afat konkret se kur pritet të përfundojë procesi.
Hapi i radhës është miratimi i listës përfundimtare të përfituesve nga Këshilli Bashkiak. Sipas Bashkisë, deri në përfundimin e kësaj procedure nuk mund të kryhen pagesat.
“Pas miratimit të listës dhe përfundimit të procedurave administrative e financiare përkatëse, do të vijojë procesi i likuidimit të familjeve që plotësojnë kriteret për përfitim”, thuhet në përgjigje.
Bashkia shtoi gjithashtu se individët dhe familjet e evidentuara në këtë proces kanë përfituar fonde në kuadër të dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e vitit 2025.
Ndërkohë, për banorët e Durrësit të Ri/Ish-Kënetës, pritjes për kompensimin e dëmeve të janarit i shtohet shqetësimi për përsëritjen e përmbytjeve. Në raportimin e mëparshëm të Citizens.al, banorët ngritën si problem gjendjen e kanaleve kulluese dhe kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Marrë nga Citizens.al