Në një nga gjiret më piktoreske të Shën Stefanit, në Mal të Zi, liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi u drejtua nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili e nisi fjalën e tij me një mesazh të qartë për përgjegjësinë që vendet e rajonit duhet të marrin në përmbushjen e reformave drejt Bashkimit Europian.
“Ndryshimi duhet të vijë nga ju, nga brenda vendeve tuaja. Ne kërkojmë që vendet e Ballkanit të ulen në tryezë, por progresi dhe reformat duhet të realizohen nga vetë këto vende” – u shpreh kancelari gjerman.
Për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Europës,Merz u tregua i prerë, duke dënuar dhunën dhe retorikën përçarëse.”Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Europian apo këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion për asnjërën palë. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Europe më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë” – deklaroi Merz.
Ballkani Perëndimor në BE, domosdoshmëri gjeopolitike
Në konferencën për shtyp, përkrah kancelarit austriak Christian Stocker dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, Friedrich Merz e cilësoi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si një domosdoshmëri gjeopolitike. Ai tha se rajoni nuk duhej të kthehej në një arenë rivaliteti për ndikim mes fuqive të mëdha.
“Ballkani Perëndimor nuk duhet të shndërrohet në një vend ku fuqitë e mëdha rivalizojnë për ndikim. Është në interesin tonë të përbashkët që rruga e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian të jetë e pakthyeshme” – deklaroi Merz.
Kancelari vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Europian, por paralajmëroi se përçarjet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës e Serbisë mbeten pengesa për stabilitetin e rajonit.
Kurti kërkon statusin kandidat për Kosovën
Përpara nisjes së samitit, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti folën për mediat, por me qëndrime të ndryshme. Rama u mjaftua me një përshëndetje për takimin e përvitshëm të Procesit të Berlinit, pa paraqitur kërkesa apo objektiva konkrete për Shqipërinë.
“Është kënaqësi të jem sërish këtu për Procesin e Berlinit, në këtë takim që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme dhe që këtë herë zhvillohet në Mal të Zi” – u shpreh Rama.
Pas përfundimit të samitit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi edhe një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Ndryshe prej tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbërriti me një kërkesë konkrete: Kosovës t’i jepej statusi i vendit kandidat për anëtarësim. “Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Pikërisht për këtë do të bëj thirrje ndaj liderëve të BE-së, që të kërkojnë opinionin e Komisionit Europian në lidhje me këtë çështje” – deklaroi Kurti. Ai ngriti gjithashtu çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës, duke kërkuar përmbushjen e zotimeve të marra në Samitin e Londrës në vitin 2018.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit, i iniciuar në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe afrimin e tyre me BE-në. Përmes kësaj nisme, vendet e rajonit u angazhuan për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, lehtësimin e lëvizjes së lirë, zhvillimin e infrastrukturës dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve që pengonin bashkëpunimin mes tyre. Austria do të marrë kryesimin e Procesit të Berlinit në vitin 2027.
Marrë nga Deutsche Welle