Reperi Capital T ka publikuar një video në rrjetet e tij sociale pas kërcënimit nga Policia e Tiranës për shkak të mbështetjes së tij ndaj kauzës dhe protestave studentore që janë zhvilluar ditëve të fundit në Tiranë. Ai shprehu edhe njëherë suportin e tij kundrejt studentëve duke pohuar se e ka të vështirë të mos reagojë.
Capital T falenderoi njerëzit që e kishin përkrahur pas Audio-Përgjimit që Dosja.al publikoi, ku Oficeri Niko Kurti telefonon reperin duke i bërë presion dhe duke i kërkuar më shumë detaje mbi kthimin e tij në Shqipëri pasi ai pohoi se aktualisht ndodhet në Amerikë.
Sipas reperit, për të mirëqenia e popullit ka shumë rëndësi dhe në këto momente deklaroi se refuzon muzikën, publikimin e këngëve dhe koncerteve si pasojë e situatës aktuale të Shqipërisë. Ai citoi dëshirën e tij që dhuna dhe shkatërrimi nga protestat studentore të ndërpriten duke treguar njëkohësisht edhe qëndrimin e tij ndaj të rinjve.
Në lidhje me reagimin që reperi ka shfaqur prej fillimit edhe përmes postimeve kundrejt revoltës studentore ai tha se qëllimi i tij nuk janë falenderimet apo protagonizmi. Ai theksoi se nëse njerëzit nuk janë mirë atëherë edhe reperi do të luftojë padrejtësitë duke qëndruar të fortë së bashku.
Në mbyllje të deklaratës ai shprehu edhe njëherë falenderimin e tij për të gjithë ata që e kanë telefonuar dhe janë shqetësuar mbi presionin që reperi ka marrë nga Policia e Tiranës si rezultat i mbështetjes së tij ndaj të rinjve dhe studentëve në Shqipëri ndërsa njoftoi edhe kthimin në Shqipëri së shpejti.
Marrë nga Dosja.al