Mes zgjedhjeve vendimtare që po trazojnë Izraelin, protestave të të rinjve të dëshpëruar që e kanë kthyer kryeqytetin francez në një fushëbetejë dhe përgatitjeve në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjet e mesmandatit, izraelitët nuk po u kushtojnë shumë vëmendje ngjarjeve në një vend të vogël të Evropës Juglindore, me rreth tre milionë banorë: Shqipërisë.
Nëse do të interesoheshin, do të zbulonin se vendi po përjeton prej rreth një jave protesta të dhunshme, gjatë të cilave demonstruesit u kanë vënë zjarrin zyrave qeveritare dhe bankave. Shkaku është kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, për shkak të skandaleve të korrupsionit që rrethojnë qeverinë e tij, skandale në të cilat përfshihen edhe biznesmenë izraelitë.
Trazirat në Shqipëri kujtojnë se, pikërisht në Izrael, korrupsioni qeveritar nuk përbën një çështje thelbësore të fushatës zgjedhore.
Çështja e përçarjeve etnike është rikthyer papritur në qendër të fushatave zgjedhore, ndërsa Netanyahu po kritikohet për shpërfilljen e paralajmërimeve që mori nga të gjitha drejtimet përpara 7 tetorit 2023, si edhe për drejtimin e dobët të luftës.
Rekomandimi i presidentit Donald Trump për ta zgjedhur atë po tërheq vëmendjen e të gjithëve, ndërsa këshilltarët elektoralë duket sikur e kanë harruar faktin se Izraeli drejtohet nga një kryeministër që përballet me akuza të rënda për korrupsion.
Duket se kundërshtarët e Netanyahut mbështeten te supozimi se dështimi i 7 tetorit mjafton për të fituar zgjedhjet e tanishme. Sipas kësaj logjike, nëse dyshimet dhe çështjet penale kundër tij nuk shkaktuan humbjen e tij në vitin 2022, nuk ka arsye që ato të përdoren tani si argument elektoral.
Këtu përfshihen dyshimet se ai ka marrë përfitime personale nga Arnon Milchan, se i ka ofruar favore biznesi Shaul Elovitch-it, si edhe akuzat për negociata korruptive që ka zhvilluar me Noni Mozes.
Këto aktakuza, së bashku me mungesën e gatishmërisë së Netanyahut për të lejuar zhvillimin normal të procesit të tij gjyqësor, qëndrojnë, sipas autorit, në themel të katastrofës që ai i ka shkaktuar shtetit të Izraelit.
Ato qëndrojnë gjithashtu në themel të aleancës së tij me Donald Trumpin, një tjetër udhëheqës që nuk ka arritur të kuptojë se si mund të guxojnë institucionet ta nxjerrin përpara drejtësisë.
Nën peshën e aktakuzave, Netanyahu ndërmori një përmbysje të sistemit institucional, me synimin për të dobësuar sistemin gjyqësor që kishte guxuar ta ndiqte penalisht.
Kjo përpjekje për ndryshimin e sistemit institucional nxori qytetarët izraelitë në rrugë dhe, sipas autorit, bëri që Netanyahu të shpërfillte paralajmërimet që kishte marrë për një sulm të afërt kundër Izraelit.
Dikur dukej se shumica e izraelitëve që shkonin në votime i linin mënjanë akuzat e rënda kundër Netanyahut, duke menduar se mund t’ia falnin shampanjën, purot dhe përpjekjet për të kontrolluar mediat, për sa kohë që ai garantonte sigurinë e Izraelit dhe i krijonte ekonomisë izraelite mundësi për të lulëzuar.
Por kjo nuk vlen më.
Netanyahu dështoi në garantimin e sigurisë së Izraelit dhe është kthyer në një barrë ekonomike për vendin.
Politikat e tij sektoriale gjatë katër viteve të fundit i kanë larguar hebrenjtë ultraortodoksë nga tregu i punës, po i kthejnë arabët izraelitë në një popullsi të kontrolluar nga organizatat kriminale dhe po drejtojnë miliarda drejt vendbanimeve izraelite, për të realizuar një vizion të parealizueshëm të shtrirjes së sovranitetit mbi Bregun Perëndimor.
Sistemi bankar në Izrael po e ndien se si këto dështime po krijojnë një kërcënim të shumëfishtë për të.
Në sfondin e dështimeve të atij që njihej si “Zoti Siguri” dhe humbjeve të “Zotit Ekonomi”, gjithçka që ka mbetur nga Netanyahu është një kryeministër që përballet me akuza penale.
Edhe në platformën e parashikimeve dhe basteve Polymarket ka njerëz që e kuptojnë këtë.
Në rastin e Shqipërisë, zhvillimet arritën deri aty sa, gjatë javës së fundit, kryeministri Edi Rama anuloi një vizitë në Vjenë. Pas kësaj, një kandidat për president të Austrisë deklaroi se ishte i gatshëm t’i ofronte Ramës azil politik, nëse ai pranonte të largohej në heshtje nga posti, pa e tërhequr vendin e tij drejt trazirave.
Në rastin e Netanyahut, kjo nuk do të ndodhë.
Të vetmit që mund ta detyrojnë të largohet nga posti janë votuesit.
Marrë nga The Marker