Gazeta italiane “Domani” i ka kushtuar një artikull të ashpër situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke e vendosur kryeministrin Edi Rama në qendër të kritikave për mënyrën se si ka drejtuar vendin.
Në artikullin e publikuar sot, me autorë Stefano Iannaccone dhe Nello Trocchia, Shqipëria paraqitet si një vend ku projektet e mëdha të ndërtimit, kullat dhe resortet turistike janë zhvilluar në një periudhë kur qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës.
Sipas analizës, kontrasti mes investimeve të mëdha dhe vështirësive ekonomike të popullsisë është një nga elementet që ushqen pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Një nga pjesët më kritike të artikullit lidhet me projektet që përfshijnë familjen e presidentit amerikan Donald Trump dhe me mënyrën se si autorët e përshkruajnë reagimin e autoriteteve ndaj protestave studentore.
Gazeta e akuzon politikisht qeverinë për shitjen e interesave të vendit në favor të projekteve të lidhura me familjen Trump, ndërsa përmend përdorimin e shkopinjve të gomës dhe dhunës ndaj studentëve.
Autorët i lidhin këto zhvillime me krizën ekonomike dhe i paraqesin si shenja të dobësimit të pozitës politike të kryeministrit.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e analizës lidhet me protestat e studentëve dhe reagimin e pedagogëve. Sipas Domani, të rinjtë kanë dalë në rrugë prej javësh për të kërkuar përgjigje lidhur me koston e lartë të arsimit dhe pasigurinë për të ardhmen e tyre.
Gazeta i kushton vëmendje të veçantë mbështetjes që pedagogët u kanë dhënë studentëve, duke cituar kundërshtimin e tyre ndaj dhunës në protesta.
Autorët e paraqesin këtë reagim si tregues se pakënaqësia nuk kufizohet vetëm te studentët, por po përfshin edhe pjesë të tjera të shoqërisë.
Sipas tyre, fronti i kundërshtarëve të Ramës po zgjerohet, ndërsa kërkesat për kushte më të mira ekonomike dhe arsimore po ndërthuren me kritikat ndaj mënyrës së qeverisjes.
Nga kullat dhe resortet te kriza e kostos së jetesës
Analiza e gazetës italiane e vendos zhvillimin urban dhe turistik përballë gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Sipas autorëve, ndërtimi i rrokaqiejve, kullave dhe resorteve ka vijuar ndërkohë që kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm.
Pikërisht këtë kontrast gazeta e përdor për të shpjeguar zemërimin popullor që, sipas saj, po e vendos kryeministrin në një pozitë gjithnjë e më të vështirë.
Artikulli ngre kështu një kritikë më të gjerë ndaj prioriteteve të zhvillimit ekonomik, duke vënë përballë investimet e mëdha dhe shqetësimet e qytetarëve për jetesën, arsimin dhe të ardhmen.
Gazeta ndalet edhe te marrëdhëniet politike të Edi Ramës me Italinë. Autorët e përshkruajnë kryeministrin shqiptar si një politikan që ruan marrëdhënie miqësore me kryeministren italiane Giorgia Meloni, por edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike italiane.
Këto lidhje përmenden në kontekstin e kritikave që artikulli ngre ndaj qeverisjes së tij dhe zhvillimeve të brendshme në Shqipëri.
Në pjesën më të drejtpërdrejtë politike, Editoriale Domani e cilëson situatën si një periudhë të rënies së ndikimit të kryeministrit shqiptar. Sipas autorëve, reagimi i qeverisë ndaj protestave dhe zgjerimi i kundërshtimit qytetar po krijojnë një sfidë të re për Ramën.
Gazeta e përshkruan këtë proces si një muzg politik që duket gjithnjë e më i vështirë për t’u ndalur.
Marrë nga Domani.it