Kur dje pasdite në Tiranë, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian Von der Leyen, premtonte transparencë për projektin turistik të Zvërnecit, ai synonte: së pari, të adresonte publikisht një shqetësim të paraqitur në paradhomë nga Komisioni (KE) për ecurinë e resortit dhe së dyti, të shmangte, që në hyrje, mundësinë e ndonjë pyetjeje nga gazetarët për projektin në fjalë.
Sidoqoftë, këtë radhë, dalja e tij ishte më e qetë. Shkaqet mund të jenë disa. A mund të ketë siguruar garanci shtesë nga Komisioni? A mund të ketë arritur mirëkuptimin me shoqërinë “Zverneci South Adriatic Development” mbi shkallën e zgjerimit të projektit? A po sheh sesi po tkurret Bulevardi? Mund të hamendësojmë raportin mes këtyre, por jo dominimin.
Qysh prej shpërthimit të protestës (Revolucioni i Flamingove) kryeministri e ka përmendur disa herë studimin e thelluar mjedisor, aq sa njerëzit kanë filluar të besojnë vërtet se kantieri në Zvërnec do të rihapet me përfundimin e studimit. Në fakt, studimi i thelluar përshkon një procedure ligjore, në fund të së cilës vendoset pranimi ose refuzimi i projektit. Proceduralisht ministri i Mjedisit mund ta rrëzojë projektin, nëse vë re dëme të mëdha të pariparueshme, por ndërkohë, Rama ka përsëritur shpesh se resorti nuk mund të ndalohet dhe se dhënia e lejes përbën interes kombëtar. Kështu, të dyja nuk mund të qëndrojnë. Ose projekti duhet t’i nënshtrohet procedurës së VNM së Thelluar, me mundësinë për t’u refuzuar, ose procedura do të kryhet formalisht, përderisa Rama e ka shpallur qysh në fillim se resorti duhet të ndërtohet. Kjo e fundit mbetet skenari më i mundshëm, jo vetëm për shkak të zellit kryeministror, por edhe sepse kryeministri është i njëjti njeri si pesë vjet të shkuara që përuroi, arbitrarisht, punimet e aeroportit në Nartë (VIA) ende pa u miratuar leja e ndërtimit. Kësisoj, historia rrezikon të mbarojë pa filluar.
Megjithatë, si pasojë e kësaj këmbënguljeje patologjike që shpesh kulmon me prezantime renderash digjitale në salla të mbyllura, grupet e interesit duhet të tregohen jashtëzakonisht vigjilente dhe të vendosura për të dokumentuar çdo shkelje të mundshme të autoritetit, përfshirë edhe këto shfaqje të neveritshme, të cilat, për shkak të dhunës verbale dhe imponimit estetik të kryeministrit, synojnë intimidimin e nëpunësve dhe nxisin një proces administrativ shkel e shko. Në këto kushte, shkeljet duhet të adresohen në gjykatë, e cila ndonëse vuan nga problemet e saj, mbetet, sidoqoftë, pushteti i vetëm në vend që gëzon një pavarësi relative.
E mendoj shpesh gjuhën e spërdredhur të shkrimeve dhe deklaratave të kryeministrit kur ai të mos jetë më i tillë, si dhe kujtoj fjalët e tij të bukura, përpara se të zgjidhej kryeministër. Njësoj si më parë, edhe në të ardhmen, shumë njerëz do të gënjehen, por sot askush nuk gënjehet se qeveria nuk e ka miratuar resortin dhe se i tërë procesi i studimit mjedisor s’është veçse një check-box më shumë në procesin e zhurmshëm të Integrimit.
Ajo që nuk dihet me saktësi është vlera e dëmit që një projekt i tillë do t’i shkaktojë Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, pasi vijon ende të mos i tregohet publikut.
Marrë nga Citizens.al