“Elementi kryesor është që lagjen ne do ta kthejmë të komunikueshme, njerëzit të jenë bashkë, nuk do të ketë porta, nuk do të ketë mur, nuk do të ketë gardhe”, i tha Xhimi Begeja Citizens në vitin 2021.
Atëherë, në oborret e familjeve pranë Pazarit të Ri, u prezantua një vizion ndryshe për zhvillimin e kësaj pjese të Tiranës së vjetër. Nisma “Portat e Hapura” synonte ta rijetëzonte zonën duke ruajtur vilat, oborret dhe lidhjen mes tyre, në vend që t’i zëvendësonte me ndërtime të reja.
Në kuadër të nismës u zhvillua një konkurs me rreth 60 studentë pjesëmarrës. Katër ide u vlerësuan me çmime dhe me mundësinë për t’u zbatuar. Në aktivitet u përfshinë Ambasada e Francës, Universiteti Polis dhe organizata të tjera vendase e ndërkombëtare.
Pesë vite më vonë, projekti i propozuar nga banorët nuk është realizuar. Ndërkohë, në rrugën e Saraçëve, pranë Pazarit të Ri, kanë nisur punimet për një godinë të re 9-katëshe. Projektin e ka hartuar Atelier 4, e njëjta studio që rikonstruktoi vetë Pazarin e Ri.
Projekti që Bashkia nuk e njeh
Në një përgjigje zyrtare për Citizens, Bashkia e Tiranës thotë se nuk ka mbështetur financiarisht asnjë projekt me emrin “Portat e Hapura”. Megjithatë, përfaqësues të Bashkisë ishin të pranishëm në prezantimin e nismës në vitin 2021.
Mateo Begeja, inxhinier konstruktor dhe autor i projektit fitues, thotë se nisma nuk gjeti më pas asnjë mbështetje institucionale.
“Nuk u mirëprit, nuk është se na është bërë një kërkesë që ne të vinim ta prezantonim në nivel bashkiak. Bashkia mbeti joekzistente në këtë drejtim, nuk funksionoi fare”, thotë ai.
Mateo Begeja e lidh mosrealizimin e projektit edhe me interesin e madh për ndërtim në zonë. Sipas tij, çdo godinë e re me intensitet më të lartë ndërtimi i shtyn pronarët përreth t’i zhvillojnë pronat e tyre në të njëjtën mënyrë.
“Kur ndërton një kullë ose një godinë x kate, ajo merr një lloj koeficienti dhe je i detyruar që ti ta kundërshtosh atë lloj koeficienti me një zhvillim tjetër”, shpjegon ai.
Pazari i Ri ka kaluar më herët nëpër një transformim të madh. Në vitin 2017 ai u rihap pas një projekti rivitalizimi me kosto totale rreth 9.5 milionë dollarë, të realizuar nga Atelier 4.
Sipas urbanistes Doriana Musai, ky transformim ka prekur edhe funksionin historik të Pazarit, i cili dikur ishte qendra e tregtisë së përditshme të qytetit.
“Qyteti nuk vjen më në pazar që të bëjë pazarin”, thotë Musai. Zona, sipas saj, është orientuar më shumë drejt turizmit, kafeneve dhe restoranteve, ndërsa ndërtimet shumëkatëshe përreth rrezikojnë ta kthejnë Pazarin e Ri në një “ishull të izoluar”.
“Sa mund të rezistojnë banorët?”
Për banorët që propozuan “Portat e Hapura”, çështja sot nuk është më vetëm fati i një projekti të parealizuar, por e ardhmja e vetë lagjes.
Xhimi Begeja thotë se institucionet duhet të luajnë rol në mbrojtjen e zonave që ende ruajnë elemente të Tiranës së vjetër.
“Shteti duhet të ishte frenues të paktën për zonat autentike, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore”, thotë ai.
Për të, vetë emri “Portat e Hapura” vinte nga mënyra si funksiononte dikur lagjja: oborre që komunikonin me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie të drejtpërdrejta mes familjeve.
“Çdo oborr kishte porta që lidhej me fqinjët e me njerëzit tanë përreth. Dhe këtë filozofi ne donim që ta shtrinim edhe sot”, thotë Xhimi Begeja.
Doriana Musai shtron një pyetje tjetër përballë ritmit të ndërtimeve: “Sa mund të rezistojnë banorët?”
Sipas saj, kur mungojnë alternativat dhe mbështetja për ta ruajtur pronën ose për ta zhvilluar ndryshe, presioni ekonomik mbi banorët rritet vit pas viti.
Projekti që propozonte ruajtjen e vilave dhe oborreve të Tiranës së vjetër ka mbetur në letër. Në të njëjtën zonë, themelet e godinës së re 9-katëshe tashmë janë hapur.
Marrë nga Citizens.al