Studentët protestues i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen deri sot, në orën 13:00, por kreu i qeverisë nuk ka dhënë asnjë sinjal se ka ndërmend të largohet. Përkundrazi, Rama duket se ka zgjedhur të rikthejë strategjinë e njohur të vitit 2018, kur përballë protestave masive të studentëve nisi fushatën e tij të dialogut me pyetjen tashmë të famshme: “Kur do flasim?”.
Tetë vite më vonë, përballë një tjetër revolte studentore, kryeministri ka përsëritur ftesën për dialog, duke shmangur kërkesën kryesore të protestuesve për largimin e tij nga pushteti.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, protestuesit i kanë vendosur Ramës ultimatum deri në orën 13:00 të kësaj të enjteje për dorëheqjen, duke paralajmëruar vijimin dhe përshkallëzimin e protestave në rast se kërkesa nuk plotësohet.
Por nga godina e dëmtuar nga zjarri e Kolegjit të Europës në Tiranë, kryeministri zgjodhi t’u drejtohej studentëve me një tjetër mesazh, duke i ftuar të ulen në tryezën e bisedimeve.
“Studentët janë e ardhmja, shohin larg dhe duan të shkojnë më larg e më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Rama.
Kryeministri u përpoq të ndajë protestën e studentëve nga aktet e dhunës që kanë përfshirë kryeqytetin gjatë dy ditëve të fundit, duke bërë përgjegjëse opozitën për sulmet ndaj institucioneve.
“Këto janë të tjera duar. Këto janë duar që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart”, tha ai.
Sipas Ramës, pas akteve të dhunshme qëndrojnë forca politike që synojnë ta kthejnë vendin pas, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vazhdojë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Ai paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për shkatërrimet dhe sulmet ndaj institucioneve do të përballen me ligjin.
“Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas”, deklaroi kryeministri.
Qëndrimi i Ramës rikthen në kujtesë protestat studentore të dhjetorit 2018, kur ai këmbëngulte vazhdimisht për dialog, ndërsa studentët kërkonin plotësimin e kushteve të tyre.
Në atë kohë, shprehja “Kur do flasim?” u kthye në një nga mesazhet më të njohura të kryeministrit gjatë përballjes me protestuesit.
Tashmë, në një situatë tjetër politike dhe me një kërkesë shumë më të drejtpërdrejtë për dorëheqje, Rama duket se ka nisur versionin 2.0 të së njëjtës strategji.
Ndërsa studentët kërkojnë largimin e tij nga qeveria, kryeministri ofron bisedime dhe paralajmëron se nuk do të ketë kthim pas.
Marrë nga Skyweb.al