Nga Marzia Baldari
“Po protestojmë me dhunë, sepse nuk kemi më asgjë për të humbur. Ata duhet të na dëgjojnë!”. Tirana është përfshirë nga flakët. Digjen kazanët e mbeturinave, vitrinat e dyqaneve janë thyer dhe përplasjet me policinë janë të ashpra.
Tymi i zjarreve përzihet me atë të gazit lotsjellës, ndërsa qendra e qytetit është zhytur në kaos. Ministria e Arsimit është shkatërruar. Pikërisht në këtë pikë, me përfshirjen e studentëve shqiptarë, Revolucioni i Flamingove ka marrë një drejtim të ri.
Kështu ma përshkruan situatën Marilisa, 26 vjeçe, studente e drejtësisë, të cilën e takoj në sheshin Skënderbej. Ajo mban një maskë për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Pas saj, një grup të rinjsh sapo i ka vënë flakën një stoli të rrugës.
“E gjithë kjo është e domosdoshme”, thotë ajo me vendosmëri. “Kemi pesë muaj që protestojmë në mënyrë paqësore, por asgjë nuk ka ndryshuar”.
Të njëjtin mendim ndan edhe Silvana, studente e informatikës së biznesit. “Ne nuk po protestojmë vetëm për sistemin arsimor, por për gjithçka. Korrupsioni është kudo: në shkolla, në spitale”.
Protestat në Shqipëri nisën në maj kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushnerin, në ishullin e Sazanit. Por ato u shndërruan shpejt në demonstrata kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. “Edi Rama, jep dorëheqjen!” është thirrja që shqiptarët nuk kanë reshtur së përsërituri.
Tri ditë më parë, në një klimë protestash që po përfshijnë edhe vende të tjera evropiane, nga Spanja në Francë, studentët shqiptarë vendosën të dalin në rrugë për të kërkuar kushte më të mira në shkolla dhe konvikte universitare.
Por kërkesat e tyre shkojnë shumë përtej arsimit. “Në universitetet tona mungojnë pajisjet, qiratë janë jashtëzakonisht të larta dhe diplomat tona nuk vlejnë asgjë. Punë gjen vetëm nëse paguan dikë…”, këmbëngul Silvana.
Studentët thonë se deri më tani nuk janë dëgjuar nga askush dhe se përgjigjja e vetme që kanë marrë ka qenë indiferenca. Tani, përmes përshkallëzimit të protestave, përpiqen të tërheqin vëmendjen dhe të detyrojnë autoritetet të japin përgjigje.
“Nuk duam të largohemi nga vendi ynë. Duam të studiojmë këtu dhe të kemi një të ardhme më të mirë këtu”, përfundon e reja. “Shkaku i gjithçkaje është qeveria. Ajo po e shet vendin pjesë-pjesë. Në vend që të përparojë, Shqipëria po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri”, më thotë Kristal, 23 vjeçe, gjithashtu studente.
Megjithatë, në shesh nuk janë vetëm të rinjtë. Krahas tyre protestojnë edhe qytetarë të moshuar, të cilët e shohin revoltën e sotme si vazhdim të një pakënaqësie që ka rrënjë shumë më të thella.
Bujarja, 70 vjeçe, mban një pankartë ku denoncon 35 vjet shkatërrim dhe korrupsion. “Këtu nuk ka pasur kurrë një demokraci të vërtetë. Ka pasur vetëm vazhdimësinë e diktaturës së vjetër, sepse në pushtet kanë qenë sërish fëmijët e komunistëve të dikurshëm”, shprehet ajo.
E pyes nëse i mbështet dhunën dhe shkatërrimet e shkaktuara nga të rinjtë. “Qeverisemi nga kriminelë dhe politikanë të korruptuar e të degjeneruar. Kemi muaj që protestojmë, por ata nuk largohen nga pushteti. Kemi arritur në këtë pikë dhe duhet të veprojmë në këtë mënyrë”, përgjigjet ajo.
Por në fund, Bujarja bën një dallim të qartë mes revoltës dhe asaj që askush nuk dëshiron të shohë të ndodhë: “Ne nuk duam gjakderdhje dhe as vrasje. Dëshirojmë vetëm një gjë: që këta politikanë të largohen!”.
Marrë nga Il Fatto Quotidiano