Presioni nga kostot e energjisë, pagave, qirave dhe shpenzimeve të tjera të biznesit është zbutur në Shqipëri gjatë vitit të fundit. Pjesa e kompanive që raportojnë rritje kostosh ka rënë nga 77% në 2024 në 65% në 2025, ndërsa për bizneset që kanë pasur shtrenjtim, rritja mesatare vlerësohet në vetëm 13%, më e ulëta ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Barometrit të Ballkanit 2025, 65% e bizneseve shqiptare deklarojnë se kostot e tyre janë rritur gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa 35% thonë se kanë mbetur të pandryshuara. Vetëm një pjesë minimale raporton ulje.
Shqipëria është pak nën mesataren e rajonit, ku 67% e bizneseve raportojnë rritje kostosh. Por dallimet mes ekonomive janë të konsiderueshme: në Bosnjë-Hercegovinë 77% e kompanive raportojnë shtrenjtim, në Serbi 75%, në Kosovë 73% dhe në Maqedoninë e Veriut 70%. Mali i Zi ka rezultatin më të ulët, me 43%.
Në krahasim me 2024, presioni ka rënë ndjeshëm në Shqipëri. Një vit më parë 77% e bizneseve shqiptare raportonin rritje kostosh, ndërsa vetëm 20% thoshin se kostot kishin mbetur të pandryshuara. Në 2025 përqindja që raporton shtrenjtim është reduktuar me 12 pikë përqindjeje, ndërsa ajo që raporton stabilitet të kostove është rritur në 35%.
Rënia e presionit është më e dukshme edhe kur pyeten kompanitë sa janë rritur konkretisht kostot. Ndër bizneset shqiptare që kanë raportuar rritje, shtrenjtimi mesatar vlerësohet në 13%. Kjo është dukshëm më pak se mesatarja e Ballkanit Perëndimor prej 19%.
Bosnjë-Hercegovina rezulton me rritjen më të lartë mesatare të kostove, 26%, e ndjekur nga Kosova me 23%. Në Mal të Zi rritja mesatare është 18%, në Serbi po 18% dhe në Maqedoninë e Veriut 16%. Shqipëria, me 13%, është ekonomia ku bizneset që kanë pësuar rritje kostosh raportojnë intensitetin më të ulët të shtrenjtimit.
Edhe mesatarja rajonale po jep sinjale lehtësimi. Pjesa e bizneseve në Ballkanin Perëndimor që raportojnë rritje kostosh ka zbritur nga 77% në 2024 në 67% në 2025, një rënie prej 10 pikësh përqindjeje. Shqipëria ka pasur një zbutje pak më të fortë, me 12 pikë.
Megjithatë, fakti që pothuajse dy në tri biznese shqiptare vazhdojnë të raportojnë rritje të kostove tregon se presioni nuk është zhdukur. Ai është thjesht më pak i përhapur dhe, mes kompanive të prekura, shtrenjtimi raportohet më i moderuar se në pjesën tjetër të rajonit.
Marrë nga Ekofin.al