Kryeministri Edi Rama paralajmëroi mëngjesin e kësaj të hëne se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre.
“Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.
Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë.
Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët”, tha kryeministri.
Marrë nga TCH