Nga Alessia Candito
Buldozerët mbërritën në orët e para të mëngjesit të së dielës në bulevardin e Tiranës që të çon drejt Kryeministrisë. Ata nisën të hiqnin gurët e kalldrëmit, të cilët gjatë ditëve të mëparshme ishin shndërruar në predha që mijëra të rinj kishin hedhur drejt ministrive, komisariateve të policisë, gjykatave dhe bankave, në shenjë proteste kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“A mendojnë se mund të na ndalin me këtë veprim?”, pyesnin protestuesit e parë, ndërsa që në orët e hershme të mëngjesit njerëzit nisën të mblidheshin në qendër të kryeqytetit për një tjetër demonstratë.
Ndërsa kryeministri Edi Rama akuzonte protestuesit dhe fliste për ndërhyrje të mundshme nga Rusia dhe Irani, studentët dolën në rrugët e Tiranës për të gjashtën ditë radhazi. Edhe këtë herë, përplasjet me policinë nisën pothuajse menjëherë.
Ndërhyrjet e forcave të rendit ishin jashtëzakonisht të dhunshme. Automjetet e policisë u përdorën për të shtyrë turmat, plumbat e gomës u qëlluan në lartësinë e trupit të njeriut, ndërsa u përdorën edhe topa uji dhe granata trullosëse.
Protestuesit u përgjigjën me gurë dhe bomba molotov, u vunë flakën kazanëve të plehrave dhe i përdorën ata si barrikada. Arrestimet dhe ndalimet numëroheshin me qindra, ashtu si edhe të plagosurit.
“Shumë prej tyre nuk shkojnë fare në spital, sepse kontrolle dhe arrestime po bëhen edhe atje”, shpjegon Floriana, e cila ndodhet në Tiranë. Shumica e të lënduarve marrin ndihmën e infermierëve dhe mjekëve vullnetarë, të cilët organizohen përmes bisedave në internet, grupeve në Telegram dhe fjalës së përhapur nga njëri te tjetri.
Ata që mbeten përballen me papunësinë dhe pagat e ulëta, fuqia blerëse e të cilave gërryhet vazhdimisht nga inflacioni. Përgjigjja e institucioneve ishte përdorimi i forcës, ndalimet dhe heshtja. Kaq mjaftoi për të ndezur zjarrin e pakënaqësisë që prej muajsh digjej nën hi. Paralelisht, kishte nisur mobilizimi kundër megaresortit që Affinity Partners, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, synon të ndërtojë në ishullin e Sazanit, brenda një zone të mbrojtur.
Projekti ka marrë mbështetjen e Edi Ramës, i cili është i gatshëm të ndryshojë me dekret edhe statusin e ishullit. Kjo nismë i nxori menjëherë në protesta aktivistët mjedisorë. Por, javë pas jave, lëvizjes iu bashkuan studentë, artistë, intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm, të lodhur nga inflacioni, rritja e kostos së jetesës dhe papunësia.
Ndërkohë, njëri pas tjetrit, burra dhe gra nga rrethi i ngushtë i Edi Ramës u përfshinë në hetime për korrupsion. “Shqipëria nuk është në shitje!”, u kthye në sloganin që bashkoi një lëvizje të larmishme, ku përkrah njëri-tjetrit u gjendën progresistë dhe nacionalistë, grupe të organizuara dhe individë, studentë dhe të papunë.
Për më shumë se 100 ditë radhazi, ata dolën në rrugë në protesta paqësore. Edhe diaspora shqiptare jashtë vendit u mobilizua. Ndërhyrjet e para të policisë kundër studentëve hoqën kapakun e pakënaqësisë së akumuluar.
Në rrugët e Tiranës, ashtu si në qytetet kryesore të Shqipërisë, zemërimi shpërtheu hapur.
“Për brezin tonë, këta janë muajt dhe orët më intensive të jetës sonë. Nëse duam ta ndryshojmë vendin, momenti është tani ose kurrë”, shpjegon Detjon Begaj, këshilltar bashkiak në Bolonjë, i cili gjatë muajve të fundit ka udhëtuar vazhdimisht mes Italisë dhe Tiranës.
Ditë pas dite, turmat e protestuesve u shtuan dhe, krahas sloganeve, nisën të hidhen edhe bomba molotov. Kërkesa kryesore e protestuesve është e qartë: “Rama, jep dorëheqjen!”.
E djathta e Sali Berishës, ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të vendit, njëherazi kundërshtarit historik të Ramës, u përpoq të përfitonte politikisht nga revolta, duke u ofruar protestuesve edhe ndihmë ligjore.
Por kjo përpjekje u refuzua nga vetë lëvizja, duke i dhënë një goditje përpjekjeve të Ramës për t’ia atribuar Berishës organizimin dhe drejtimin e protestave. Të dielën, përmes një postimi në platformën X, Rama përfshiu në deklaratat e tij edhe Rusinë dhe Iranin.
Ai njoftoi se forcat e sigurisë kishin neutralizuar një dron shpërthyes që po drejtohej drejt godinës së Kryeministrisë. “Kemi shumë informacione për ndërhyrjen e duarve të huaja në rrjetet sociale”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se “në lojë nuk është pushteti im, por anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Megjithatë, nga Komisioni Evropian erdhi një reagim i ashpër. Në një deklaratë, Komisioni dënoi aktet e dhunës, por kritikoi edhe institucionet shqiptare për reagimin e tyre të ashpër ndaj protestave.
Ndërkohë, edhe brenda Partisë Socialiste kanë nisur të shfaqen zëra që distancohen nga kryeministri. Ish-Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e ka ftuar Ramën të “kërkojë një zgjidhje politike” dhe të “mos ketë frikë nga zgjedhjet”. I mbyllur në rezidencën e tij private, Edi Rama duket gjithnjë e më i izoluar politikisht.
Marrë nga La Repubblica