Mesditën e së hënës në Tiranë, një vajzë e re u vendos përpara një autoboti të blinduar, duke u përpjekur të ndalonte përparimin e tij në bulevardin “Zhan D’Ark”, ndërsa një karvan me mjete policore ndiqte një grup protestuesish të rinj që ishin shpërndarë nga gazi lotsjellës dhe uji me presion.
Pamja të sillte ndër mend fotografinë ikonike të “Tank Man”, protestuesit të paidentifikuar që më 5 qershor 1989 u vendos përpara një kolone tankesh në Pekin, një ditë pas shtypjes së përgjakshme të protestave prodemokratike në sheshin Tiananmen.
Ndonëse rrethanat historike dhe shkalla e dhunës janë të ndryshme, të dyja skenat kishin një element të përbashkët, guximin e një individi të vetëm që përpiqej të ndalonte me trupin e vet përparimin e mjeteve të forcave të sigurisë.
Ndjekja e protestuesve nga forcat e rendit filloi në rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku qindra të rinj ishin mbledhur për ditën e shtatë radhazi për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Poshtë diktatura! Pa rini nuk ka Shqipëri! Dorëheqje!”, brohorisnin ata, ndërsa tërhiqeshin drejt Muzeut Historik Kombëtar. Protesta nisi paqësisht, por policia ndërhyri për shpërndarjen e saj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
E hëna ishte një tjetër ditë përshkallëzimi, me përleshje midis protestuesve dhe policisë dhe arrestime masive gjatë orëve të mbrëmjes, në vijim të një krize që prej një jave ka përfshirë kryeqytetin, pas më shumë se katër muajsh protestash paqësore.
Pas pamjeve të përplasjeve me policinë dhe shkatërrimit të pronës që kanë dominuar kronikat televizive, fshihet një histori më e thellë e zhgënjimit me Shqipërinë që të rinjtë kanë trashëguar. Pagat që nuk mjaftojnë për të jetuar, diplomat që nuk garantojnë punë dhe çmimet e banesave që e bëjnë pavarësinë ekonomike një ëndërr të largët kanë ushqyer një revoltë që shkon përtej kundërshtimit të një qeverie.
Për një brez të rritur nën pushtetin e Edi Ramës, protestat po kthehen në një përballje me një sistem politik dhe ekonomik që, sipas tyre, u kërkon të zgjedhin mes largimit nga vendi dhe pranimit të një të ardhmeje pa perspektivë.
Një brez pa perspektivë
Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama nisën në fund të majit, fillimisht si reagim ndaj projektit të zhvillimit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Ato u shndërruan gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe lidhjeve të politikës me interesat e biznesit. Megjithatë, pas më shumë se katër muajsh tubimesh paqësore, protestat po humbnin vrullin, ndërsa qeveria nuk kishte pranuar kërkesën kryesore të demonstruesve për dorëheqjen e kryeministrit.
Pika e kthesës erdhi më 13 tetor, kur mijëra studentë dhe gjimnazistë iu bashkuan lëvizjes, pas një thirrjeje për mobilizim kombëtar të shpallur tri ditë më parë. Të pakënaqur me kushtet e arsimit, kostot e studimeve dhe mungesën e perspektivës së punësimit, të rinjtë u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke i dhënë një shtysë të re revoltës kundër qeverisë.
Protesta u përshkallëzua në përleshje, pasi demonstrues hodhën gurë dhe sende të forta drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Në ditët pasuese, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera të vendit, me nxënës dhe studentë që bojkotuan mësimin për të kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Mobilizimi i të rinjve e shndërroi një lëvizje qytetare që po humbiste vrullin në një revoltë kombëtare, ndërsa përplasjet me policinë, arrestimet masive dhe denoncimet për përdorimin e forcës thelluan krizën politike dhe tensionet shoqërore.
Mes protestuesve të së hënës ishte edhe Çeleste Fejzo, e cila ruan ende një ftesë të marrë nga Edi Rama në vitin 2013, kur ishte nxënëse ekselente. Rama e kishte ftuar të merrte pjesë në një aktivitet të nismës “Shqipëria e Gjeneratës Europiane”, që premtonte një të ardhme më të mirë për brezin e ri.
Trembëdhjetë vjet më vonë, Fejzo ndodhej në rrugë duke kërkuar largimin e të njëjtit politikan nga pushteti. Për të, kontrasti mes shpresave të dikurshme dhe realitetit të sotëm ishte i thellë.
“Nuk ka lidhje fare Shqipëria që po na ofrohet”, tha ajo për BIRN.
Fejzo kundërshton etiketimet e kryeministrit ndaj studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë, duke e konsideruar revoltën e tyre një kauzë që i tejkalon ndarjet politike.
“Jam shumë krenare për gjithë këta të rinj që pas tre apo katër vitesh janë elektorat, për fatin e keq të Ramës”, tha ajo.
Zhgënjimi i Fejzos nga premtimet e së kaluarës gjen jehonë te protestues të tjerë, për të cilët mungesa e perspektivës ekonomike është kthyer në arsyen kryesore për të kërkuar ndryshim.
Ardit Demiraj thotë se ka dalë në protestë për katër muaj me radhë përpara Kryeministrisë, fillimisht në tubime paqësore. Sipas tij, përshkallëzimi i revoltës është pasojë e mungesës së përgjigjeve ndaj pakënaqësive të qytetarëve.
“Këtu janë çdo gjë më shtrenjtë se jashtë shtetit, domethënë më shtrenjtë se Franca apo Italia”, tha ai për BIRN. “Atëherë njerëzit kur iu dhemb barku, kuptohet që acarohen më shumë,” shtoi ai, duke u ankuar për koston e jetesës dhe korrupsionin.
Demiraj e sheh dhunën e ditëve të fundit si shenjë të një zemërimi të akumuluar, ndërsa akuzon policinë për përdorim joproporcional të forcës, përfshirë ndaj të miturve.
Për një tjetër protestues 29-vjeçar, i cili foli në kushtet e anonimatit, revolta lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë për të ndërtuar një jetë normale në Shqipëri.
Ai është diplomuar për fizioterapi, por thotë se nuk ka mundur të gjejë një punë që t’i sigurojë jetesën në profesionin e tij. Për gjashtë vjet ka punuar në një qendër thirrjesh telefonike.
“Jam 29 vjeç aktualisht dhe një çift i ri e ka të pamundur të blejë shtëpi, se një shtëpi në Tiranë 1+1 kushton 150 mijë euro”, tha ai.
Për të, çmimet e banesave janë vetëm një pjesë e problemit. Ai ankohet edhe për mungesën e meritokracisë dhe pretendon se lidhjet partiake janë bërë vendimtare për punësimin në administratë.
“Thjesht po na detyrojnë të ikim nga vendi në emigrim”, shtoi i riu, i cili hodhi poshtë me përçmim akuzat e kryeministrit se rinia po manipulohet nga një “dorë e huaj”
“Nuk ka asnjë agjent të huaj, janë vetëm studentët dhe rinia shqiptare që ky e ka lënë rrugëve,” tha ai.
Shqetësime të ngjashme shpreh edhe një mësues biologjie, i cili thotë se nuk ka arritur të punësohet në profesionin e tij dhe po mendon të emigrojë.
Por ajo që e shqetëson më shumë është ndikimi i pasigurisë ekonomike te familjet e reja.
“Është e tmerrshme të mendosh që një fëmijë të rëndon ekonominë”, tha ai, duke argumentuar se të ardhurat e ulëta dhe kostot e larta të jetesës po ndikojnë në vendimet e çifteve për të pasur fëmijë.
Nga mbështetëse e Ramës në protestuese
Aida Kamulli nuk është studente. Ajo punon si instruktore palestre dhe prej dy dekadash siguron jetesën në sektorin privat.
Pas 20 vitesh punë, vazhdon të jetojë me qira në Tiranë dhe thotë se nuk ka parë ndonjë përmirësim domethënës në kushtet e saj ekonomike.
“Jam shumë e pakënaqur me kushtet e jetesës, me çmimet e ushqimeve, me çdo gjë”, tha ajo.
Kamulli ka edhe një arsye tjetër për të qenë në protestë, zhgënjimin nga një politikan që dikur e kishte mbështetur.
“Kam qenë simpatizante e tij dhe kam votuar për atë. Ia bëj haram çdo gjë që kam bërë”, tha ajo për Ramën,
“Ndihem shumë keq që e kam përkrahur dhe prandaj jam sot këtu”, shtoi Kamulli, duke u bërë thirrje qytetarëve të tjerë të bashkohen me protestën.
Përplasja për të vërtetën e protestave
Ndërsa protestat janë përshkallëzuar, kryeministri Rama ka kërkuar t’i lidhë trazirat me ndikime të huaja dhe ideologji ekstremiste.
Të hënën, ai akuzoi Rusinë, Iranin dhe lëvizjen Antifa për nxitjen e protestave kundër qeverisë, pa paraqitur prova publike për këto pretendime.
Rama pranoi se shumica e pjesëmarrësve në protesta janë të rinj shqiptarë, por argumentoi se ata janë ndikuar nga një ideologji radikale që synon përmbysjen e rendit ekzistues.
Kryeministri premtoi gjithashtu shpërblime prej 2,500 eurosh për punonjësit e policisë dhe paralajmëroi masa financiare ndaj studentëve dhe familjeve të të miturve të përfshirë në akte dhune.
Por në 18 intervista të zhvilluara nga BIRN të hënën, studentë, pedagogë dhe qytetarë kundërshtuan pretendimet e Ramës dhe këmbëngulën se arsyet e revoltës janë të brendshme.
“Broçkullat me duar të huaja, broçkullat me Antifa e ku di unë budallallëqe të këtij lloji, nuk ka Shqipëria,” tha një prej protestuesve. “Populli nuk duron më,” shtoi ai.
Një student i shkencave politike, i cili studion jashtë Shqipërisë, e krahasoi retorikën e kryeministrit me atë të udhëheqësve autoritarë që i cilësojnë kundërshtarët politikë si ekstremistë apo terroristë.
“Është grahma e fundit e regjimit të Ramës,” tha ai. “Është thjesht shtyrja e vetë drejt fundit të vetë autoritar,” shtoi studenti.
Një tjetër student, gjithashtu i shkolluar jashtë vendit, e konsideroi fyese gjuhën e Ramës ndaj të rinjve.
“Kemi qenë ekselentë në gjimnaz dhe po studiojmë jashtë. Të na quash injorantë është vetëm një deluzion ku vetëm Rama mund të dalë”, tha ai.
Një studente e psikologjisë kundërshtoi gjithashtu ftesën e kryeministrit për dialog individual me protestuesit.
“Ne jemi bashkë të gjithë. Ne nuk ndahemi nga njëri-tjetri. Nuk ka takim privat. Ai të dalë këtu dhe të flasë me ne këtu”, tha ajo. “Ai duhet të iki nga pushteti që ne të ecim përpara,” shtoi studentja.
Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e zgjedhur në Kuvend nga listat e Partisë Socialiste, e konsideron retorikën e Ramës një përpjekje për të shmangur shkaqet e pakënaqësisë.
Sipas saj, etiketimet e protestuesve si radikalë apo të ndikuar nga faktorë të huaj janë përdorur nga qeveria edhe gjatë muajve kur tubimet zhvilloheshin paqësisht.
“Kauza e këtyre studentëve është veç e brendshme dhe vetëm akumulimi i një revolte prej shumë e shumë vitesh dhe një tentativë për të pasur një jetesë më dinjitoze në vendin e tyre”, tha Koçeku.
Dhuna dhe humbja e besimit
Përshkallëzimi i protestave ka sjellë një bilanc në rritje të të lënduarve, të arrestuarve dhe të dëmtimeve të pronës publike e private.
Vetëm gjatë protestës së së dielës, Ministria e Shëndetësisë raportoi 36 persona që kishin marrë ndihmë mjekësore, mes tyre 23 punonjës policie, tetë protestues, katër kalimtarë dhe një gazetare.
Përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe hedhja e gurëve dhe mjeteve piroteknike nga protestuesit, kanë shoqëruar përplasjet e ditëve të fundit.
Por për shumë prej të intervistuarve nga BIRN, mënyra se si policia po i trajton protestuesit, veçanërisht të miturit, është kthyer në një arsye më vete për të kundërshtuar qeverinë.
Një pedagoge tha se kishte dalë në protestë si qytetare, si prind dhe si mësimdhënëse, për të mbështetur studentët e saj.
“Deklaratat e kryeministrit janë shumë qesharake, jashtë realitetit, janë qesharake,” tha ajo, ndërsa theksoi se “ai nuk jeton më prej kohësh në këtë realitetet.”
“Jam në radhë të parë për veten time, jam dhe për fëmijët e mi dhe jam edhe pedagoge dhe i mbështes studentët”, shtoi ajo, ndërsa listoi arsyet pse protestone.
Një tjetër protestuese akuzoi kryeministrin për kërcënime ndaj mësuesve dhe pedagogëve që mbështesin të drejtën e të rinjve për të protestuar.
“Kryeministri, në vend që të reflektojë se përse një pjesë e popullsisë është ngritur e revoltuar, ai del dhe i kërcënon”, tha ajo. “Unë nuk e kuptoj se si një shoqëri mund të dëgjojë këto fjalë dhe të mos kuptojë që ne jetojmë në një diktaturë, në një sistem që i ka vënë shkelmin në fyt kësaj shoqërie dhe nuk ka rrugëdalje tjetër.”
Shqetësimet shkojnë përtej përballjes së drejtpërdrejtë me policinë. Në intervista përsëriten ankesat për mungesën e besimit te drejtësia, për klientelizmin në punësim dhe për hendekun mes premtimeve politike dhe realitetit ekonomik.
Ndërsa disa protestues kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Ramës, të tjerë flasin për nevojën e një ndryshimi më të thellë të sistemit politik.
“Kam 122 ditë që e mbështes protestën, do ta mbështes deri në fund, derisa të ndryshojë sistemi”, tha një prej protestuesve. “Ai do marri përgjigje nga studentët dhe profesorët që e mbështesin [protestën],” përfundoi ai.
Marrë nga Reporter.al