Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se do të zhvillojë të enjten, më 22 tetor 2026, në orën 10:00, seancën plenare publike, në një kohë kur në Tiranë ‘zjen’ nga protestat e studentëve dhe qytetarëve. Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, një nga çështjet kryesore është interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, mes tyre ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri. Seanca do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët mund të flasin sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Marrë nga Lapsi.al