Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet lidhur me skandalin e strehimit të punëtorëve të huaj të kompanisë “Wolt” në konviktet e studentëve në Kamëz. Mësohet se është regjistruar procedim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” ndaj zyrtarëve të Rezidencës Universitare Nr.1. Hetimi synon të sqarojë dhe zbardhë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë zyrtare dhe ligjshmërinë e kontratave të firmosura me firmat private.
Këto zhvillime vijnë pas dorëheqjes së Olsi Shahinit, ish-drejtorit të përgjithshëm të Rezidencës Studentore Universitare N.1 në Tiranë. Shahi u largua pas investigimit mbi strehimin e emigrantëve dhe punonjësve të kompanisë “Wolt” në konviktet e studentëve në Kamëz.
Largimi i tij erdhi vetem dy ditë pasi në media u raportua se në konviktet pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Kamëz, ku godinat e ndërtuara për rreth 30 milionë euro nga fondet publike për strehimin e studentëve shqiparë dyshohet se po përdoren për të akomoduar punëtorët e huaj të ardhur nga India, Afrika e Vietnami.
Sipas investigimit të ‘Fiks Fare’, marrëveshjet janë firmosur nga drejtori Olsi Shahini, i cili ka firmosur përdorimin e godinave për punëtorët e huaj, përveç studentëve. Ndërsa pretendohet se këto marrëveshje janë zhvilluar dhe firmosur pa ankande apo tendera.
Marrë nga Zëri.al