Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror. Ylli portugez realizoi një tjetër tregolësh në fitoren 5-3 të Al-Nassr ndaj Al Kholood, duke e çuar në 985 numrin e golave të shënuar gjatë karrierës së tij dhe duke iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit prej 1000 golash.
Ndeshja e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit saudit u zhvillua në stadiumin “Al-Awwal Park” në Riad. Miqtë kaluan fillimisht në avantazh me Julien Domingues në minutën e 16-të, ndërsa një gol i hershëm i Ronaldos ishte anuluar për pozicion jashtë loje.
Al-Nassr reagoi dhe përmbysi rezultatin para pushimit. Angelo Borges barazoi në minutën e 24-t, ndërsa Sadio Mané shënoi golin e dytë në të 38-ën. Megjithatë, Al Kholood arriti të barazonte në shtesën e pjesës së parë me Antoine Loic Essomba Bikoula, duke e lënë gjithçka të hapur për fraksionin e dytë.
Pas pushimit, Ronaldo mori skenën kryesore. Portugezi shënoi në minutën e 66-të, pas një aksioni të ndërtuar nga João Félix, i cili regjistroi asistimin e tij të tretë në këtë takim.
Gjashtë minuta më vonë, sulmuesi veteran realizoi sërish, ndërsa në minutën e 81-të vulosi tregolëshin personal dhe fitoren e skuadrës së tij.
Domingues shënoi edhe një herë për Al Kholood në minutën e 90+4-t, nga pika e bardhë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 5-3.
Me këtë sukses, Al-Nassr barazohet me rivalët në krye të renditjes së kampionatit saudit. Ndërkohë, Ronaldo vazhdon garën kundër historisë: me 985 gola në karrierë, atij i duhen edhe 15 realizime për të arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1000 golash.
Marrë nga Syri.net