Një zhvillim i rëndësishëm në betejën juridike mbi përdorimin e komunikimeve të Sky ECC si prova në proceset penale në Shqipëri.
Për herë të parë, sipas asaj që raporton media italiane “Corriere della Calabria”, në një proces për trafik ndërkombëtar të narkotikëve në Tiranë, prokuroria ka dhënë pëlqimin për administrimin e një ekspertize teknike të përgatitur nga mbrojtja, si dhe për dëgjimin në sallën e gjyqit të ekspertit italian të informatikës forenzike, Antonio Andrea Miriello.
Në qendër të ekspertizës është autenticiteti dhe integriteti i komunikimeve të përftuara nga platforma Sky ECC, mbi të cilat, sipas medias italiane, mbështetet i gjithë konstruksioni i akuzës në këtë proces.
Eksperti italian do të dëshmojë në sallën e gjyqit me përkthim simultan, duke iu përgjigjur pyetjeve të palëve mbi mënyrën se si janë siguruar, përpunuar dhe identifikuar komunikimet elektronike.
Zhvillimi merr rëndësi të veçantë për shkak të debatit që prej vitesh shoqëron përdorimin e komunikimeve të Sky ECC në dosjet penale në Shqipëri, veçanërisht për mundësinë që ka mbrojtja për të kontrolluar në mënyrë të pavarur provat mbi të cilat ngrihen akuzat.
Tashmë, ekspertiza e përgatitur nga Miriello, me kërkesë të mbrojtjes hap rrugën për shqyrtimin në gjykatë të disa prej pikëpyetjeve kryesore që shoqërojnë përdorimin e këtyre komunikimeve.
Bëhet fjalë për zinxhirin e ruajtjes së të dhënave, kalimin e tyre nëpër serverë në shtete të ndryshme, procedurat e dekriptimit nga autoritete të huaja, mënyrën e rindërtimit të bisedave dhe, mbi të gjitha, identifikimin e personave të cilëve u atribuohen komunikimet.
Çështja nuk është vetëm se çfarë shkruhet në bisedat e Sky ECC, por edhe nëse mbrojtja ka mundësi të verifikojë teknikisht se si janë përftuar ato dhe mbi çfarë baze i atribuohen një personi të caktuar.
Zhvillimi në Tiranë vjen ndërkohë që në Itali është shënuar një precedent i rëndësishëm gjyqësor lidhur me përdorimin e të njëjtave prova.
Në procesin e koduar “Ostro”, që buron nga një hetim i Prokurorisë Antimafia të Catanzaros për narkotrafik ndërkombëtar, gjyqtarja Gilda Danila Romano ka shpallur të papërdorshme komunikimet e siguruara nga autoritetet franceze.
Komunikimet e Sky ECC kanë rezultuar një “minierë ari” për drejtësinë shqiptare, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e hetimit të krimit të organizuar në Shqipëri. Përmes zbërthimit të bisedave të enkriptuara, Prokuroria e Posaçme ka arritur të godasë disa prej grupeve më të fuqishme kriminale, të zbardhë ngjarje të mbetura prej vitesh pa autor, të zbulojë porositës dhe ekzekutorë të vrasjeve, si dhe të dokumentojë rrjete të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Por rëndësia e Sky ECC nuk është kufizuar vetëm te goditja e organizatave kriminale. Bisedat kanë nxjerrë në dritë edhe lidhjet e eksponentëve të botës së krimit me zyrtarë të policisë, përfaqësues të politikës dhe njerëz të drejtësisë.
Dosje të bujshme si “Metamorfoza”, “Revanshi” dhe “Plumbi i Artë 2” kanë treguar përmasat e informacionit të përftuar nga komunikimet e enkriptuara. Paralelisht me goditjet penale, është zhvilluar edhe një betejë e fortë juridike për ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e këtyre provave, e cila ka mbërritur deri në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë, kësaj beteje i shtohet edhe një kapitull i ri: verifikimi teknik i vetë komunikimeve.
Marrë nga Corriere della Calabria