Kartelet e drogës po përdorin flota skafesh me fuqi të lartë, duke angazhuar dhjetëra mjete lundruese njëkohësisht, për të përballuar ndërhyrjet e rojeve bregdetare dhe për të transportuar sasi rekord kokaine drejt Evropës.
Sipas medias britanike, trafikantët disponojnë skafe që tejkalojnë kapacitetet e mjeteve lundruese të forcave të rendit, ndërsa gjatë përballjeve me policinë përdorin gjithnjë e më shumë armë zjarri.
Këto mjete lundruese njihen me termin spanjoll “narcolanchas”, një fjalë që bashkon termat “narco” (narkotikë) dhe “lancha” (skaf). Trafikantët i përdorin kryesisht në zonën detare ndërmjet Afrikës së Veriut dhe Spanjës.
Për dekada me radhë, kartelet kanë transportuar kokainën nga Amerika e Jugut drejt Evropës Veriore, duke e fshehur në kontejnerët e anijeve tregtare.
Por, me shtimin e masave të sigurisë në portet e mëdha, si Roterdami dhe Felixstowe, organizatat kriminale po përdorin metoda gjithnjë e më të hapura dhe më të dhunshme, sipas një raporti të Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC).
Rrjetet kriminale kanë zhvilluar një infrastrukturë detare dhe tokësore për transportimin e kokainës nga Afrika e Veriut drejt Andaluzisë, në Spanjë, prej nga droga shpërndahet në tregjet e tjera evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, tregun më të madh evropian të kokainës pluhur.
Kur policia spanjolle përpiqet të ndërhyjë, trafikantët shpesh reagojnë me dhunë. Në vitin 2024, dy efektivë të Gardës Civile humbën jetën pasi një skaf i trafikantëve përplasi mjetin e tyre të patrullimit. Sipas Ruggero Scaturros, analist i lartë në GI-TOC, forcat e rendit po përballen me një betejë që “nuk mund ta fitojnë”.
“Këto janë ndoshta kushtet më të këqija për policinë në luftën kundër trafikut të kokainës, sepse gjithçka është shumë e dukshme”, deklaroi ai për gazetën “The Independent”.
Scaturro shpjegoi se trafikantët nuk mbështeten më vetëm te fshehja e ngarkesave, por edhe te kapacitetet superiore të mjeteve të tyre lundruese dhe përdorimi i dhunës.
Ministria e Brendshme e Spanjës deklaroi se autoritetet kanë sekuestruar 740 mjete transporti që nga fillimi i vitit 2026, në kuadër të operacioneve kundër trafikut të drogës.
Megjithatë, sipas raportimit, humbja e mjeteve lundruese, edhe në numër të madh, nuk përbën një shqetësim të konsiderueshëm financiar për kartelet.
Prodhimi dhe konsumi i kokainës në nivele rekord
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut u katërfishua gjatë periudhës 2014-2024, duke arritur në 4.100 tonë. Rritja e prodhimit përkon me një kërkesë rekord në tregjet evropiane.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme britanike tregojnë se konsumatorët në Angli dhe Uells përdorën rreth 123 tonë kokainë gjatë periudhës njëvjeçare që përfundoi në korrik 2025. Shifra përfaqëson një rritje prej 26 për qind që nga viti 2021, kur autoritetet nisën mbledhjen e këtyre të dhënave.
Skafet e njohura si “narcolanchas” prodhohen në mënyrë të paligjshme, shpesh në Portugali. Fillimisht, kontrabandistët i përdornin për transportimin e hashashit, por tashmë rrjetet kriminale po i përdorin gjithnjë e më shumë për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Në fillim të shtatorit, autoritetet ndaluan një skaf pranë ishullit Gran Canaria, ku zbuluan 3.360 kilogramë kokainë.
Gazeta britanike raporton se rrjetet e shpërndarjes mund ta transportojnë kokainën nga Spanja deri në tregun e Londrës brenda pak ditësh. Sekuestrimi i mbi 30 tonëve kokainë dhe dyshimet për bosin holandez të drogës
Në maj, autoritetet ndaluan pranë brigjeve të Saharasë Perëndimore një anije mallrash të quajtur “Arconian”, e cila transportonte më shumë se 30 tonë kokainë. Zyrtarët dyshojnë se ngarkesa e kokainës kishte ardhur nga Sierra Leone dhe se trafikantët synonin ta transportonin drejt Evropës përmes një rrjeti mjetesh lundruese.
Sipas raportimeve, pas këtij operacioni dyshohet se qëndronte Jos Leijdekkers, një bos holandez i trafikut të drogës, i cili jeton në Sierra Leone.
Mediat kanë publikuar pamje të Leijdekkersit gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni fetare të Vitit të Ri, së bashku me familjen presidenciale të vendit afrikan.
Trafikantët disponojnë mjete më të fuqishme se policia
Një oficer i Gardës Civile spanjolle, i cili foli për GI-TOC, deklaroi se trafikantët janë bërë gjithnjë e më agresivë dhe më të guximshëm, pasi shpesh disponojnë mjete lundruese më të mira dhe më të shpejta se efektivët që përballen me ta. Raporti evidenton gjithashtu përdorimin në rritje të armëve të zjarrit nga grupet kriminale.
“Ata janë të pamëshirshëm, nuk u bëhet vonë për asgjë dhe janë të armatosur”, deklaroi Scaturro.
Sipas analistit, ndryshimi më shqetësues mbetet niveli i dhunës, të cilin ai e lidh me rritjen e vlerës së ngarkesave që transportojnë organizatat kriminale.
“Nevojiten më shumë investime dhe më shumë mbrojtje. Të trafikosh një ton hashash është një gjë, ndërsa të trafikosh një ton kokainë është krejt tjetër”, përfundoi Scaturro.
Marrë nga Daily Mail