Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur sot në seancën e jashtëzakonshme plenare për ushqimin në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Në fjalën e tij në Kuvend, Haradinaj tha se qeveria po i lë pa bukë Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa nuk kurseu as kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurtit, të cilin e quajti ‘spiun i Serbisë’.
“Kur një ditë këtu i kam thënë që është spiun i Serbisë, po është spiun i Serbisë, po, është tradhtar ai që e lë ushtrinë e vet pa bukë. Çka tjetër me i thënë këtij njeri? E ka lënë ushtrinë e vet pa bukë ky njeri. Pse e bën këtë, pse po i ndodh këtij e nuk i ndodhi dikujt tjetër gjatë gjithë ekzistencës tonë që 20 vjet?”
Edhe depuetët e tjerë të opozitës akuzuan pushtetin se, ka lejuar “krizë në furnizimin” e ushtarëve të FSK-së me ushqim dhe kërkuan që Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ta zgjidhin çështjen e ushqimit, ndërsa bënë thirrje që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të japë dorëheqje.