Gjenerali britanik Sir Richard Shirreff, ish-Zëvendës Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë ka bërë një paralajmërim të fortë.
Sipas simulimeve të përshkruara nga Shirreff, një ofensivë e befasishme ruse do të ishte e mjaftueshme për të kapërcyer mbrojtjen aktuale të NATO-s në Evropën Lindore brenda 100 orëve. Ky nuk është thjesht një skenar teorik, por një paralajmërim mbi dobësitë strukturore dhe logjistike të forcave evropiane.
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka garantuar se Aleanca “është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, por raportet ndërkombëtare tregojnë se realiteti në terren është më kompleks. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, problemet si vonesat në prodhimin e armatimeve, mangësitë në logjistikë dhe mungesa e koordinimit midis ushtrive kombëtare vazhdojnë të jenë shqetësuese.
Shtetet e Bashkuara, edhe pse përbëjnë boshtin e sigurisë së NATO-s, po përballen me kufizime të dukshme
Nga ana tjetër, sipas Shirreff, edhe pse ka pësuar humbje të konsiderueshme në Ukrainë, Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e saj ushtarak, me theks te artileria, dronët dhe raketat me rreze të mesme. Gjenerali amerikan Christopher Cavoli thekson se Moska aktualisht ka më shumë rezerva municionesh sesa SHBA-të dhe Evropa së bashku.
Përveç kapaciteteve konvencionale, Kremlini zotëron gjithashtu një arsenal të sofistikuar të luftës hibride, duke përfshirë sulme kibernetike, dezinformim, sabotim ekonomik dhe operacione të fshehta. Këto mjete i japin Rusisë mundësinë të destabilizojë Evropën pa shpallur një luftë të hapur.
Por a është real rreziku i Luftës së Tretë Botërore?
Ekspertët janë të ndarë. Shumë analistë mendojnë se një sulm i tillë në shkallë të gjerë është pak i mundshëm, për shkak të kufizimeve logjistike të Rusisë dhe aftësive mbrojtëse të NATO-s. Megjithatë, skenari “100 orë”, përbën një thirrje të fortë për zgjim: Evropa duhet të përshpejtojë përgatitjet ushtarake dhe të investojë seriozisht në mbrojtjen e saj.
Marrë nga Daily Mail