Nga Brendan O’Neill
Pra, tani e dimë se çfarë ndodh kur i përqesh votuesit duke i quajtur ‘plehra’. Kur i shikon si ‘të mjerë’. Kur i trajton si rrecka të demagogjisë, si lodra të njerëzve të fuqishëm. Ajo që ndodh është se ata nuk votojnë për ju.
Ju e patë atë te përkrahja e personazheve të famshëm për Kamala Harris, të cilët vinin gjithmonë me nëntekstin se asnjë person i denjë, që zotëron plotësisht aftësitë e tij mendore dhe morale, nuk mund të votonte kurrë për një përbindësh si Trump. Ju e patë atë mes baballarëve centristë të vetëkënaqur të perandorisë së re të podcast-it, të cilët ishin të sigurt se Kamala do të fitonte, sepse ata nuk mund ta konceptojnë ekzistencën e qenieve njerëzore që mendojnë ndryshe për ta.
Dhe ju e patë atë në marrëzinë e madhe të komentatorëve për ta quajtur Trump një “fashist”.
Vetë Kamala luajti kartën e ‘fashistit’, pa e ditur se sa groteske është që votuesit e klasës punëtore t’i përshkruash si njerëz pa tru që votojnë për ‘nazizmin e ri’. Të mjerë, pre e lehtë, ushqim për një fashist – vërtet këta elitistët e ‘Ivy League’ menduan se do fitonin votat e ‘njerëzve të vegjël’ duke u mburrur në këtë mënyrë? Me sa duket po.
Ky është një rebelim i të nënshtruarve, një kryengritje në kutitë e votimiit kundër elitave bregdetare të turbo-kënaqura dhe mënyrave të tyre patriciane. Injoroni tonet vajtuese të çdo reporteri të BBC sot. Mos u shqetësoni për të qarat e zhurmshme të centristëve në mediat sociale. Jini skeptik ndaj miliona mesazheve që do të vijnë shumë shpejt dhe që do ta përshkruajnë këtë votë si një ‘tërbim i të bardhëve’, ose si reaksion i të pandriçuarve apo si mizogjini masive për perspektivën e presidentes së parë femër.
Jo, këta janë njerëzit që thonë: Ne kemi rëndësi. Zërat tanë kanë rëndësi. Komunitetet tona kanë rëndësi. Familjet tona kanë rëndësi. Ne nuk jemi të mjerë, nuk jemi idiotë, nuk jemi ‘qafëkuqë’. Ne jemi qytetarë dhe kemi rëndësi. Pyetja e vetme tani është nëse establishmenti i vetëkënaqur do të dyfishojë talljen me njerëzit që punojnë dhe do t’i mallkojë ata që ranë përsëri pre e mashtrimeve demagogjike, apo do t’i dëgjojë ata për një ndryshim. Shpresoj të jetë kjo e fundit. Por diçka më thotë se nuk do të jetë.
Marrë nga Spectator